Frrok Çupi/

Nuk ka sinjal më të frikshëm pas vitit 1991 kur i vogli shtypej nga të gjithë.

Megjithëse maxhoranca parlamentare po alarmohet mbi ‘dhunën’ e opozitës; në fakt edhe përmes këtij alarmi po manifestohet se maxhoranca po bëhet më e rëndë.

Madje në gjithë shtrirjen e nocionit ‘maxhorancë’ që sipas konceptit tonë ‘pushtet’ mund të përfshihen edhe ‘të fortët’ e të gjitha llojeve.  Të fortët janë bashkuar kundër minorancës dhe ky është sinjali më i frikshëm.  Madje edhe ata që, qysh prej krijimit të pluralizmit politik u rënditën ë krah të opozitës, tani janë bashkuar me shumicën kundër pakicës…

Bashkimi Europian (BE), i ardhur me rrënjë nga qytetërimi Europian, ka hedhur poshtë edhe kualitetin e fundit- Krishterimin, dhe i është sulur opozitës.  Vetë Krishti e ka ‘urdhëruar’ ndihmën për më të voglin dhe më të pafuqishmin. Aq më tepër kur shteti europianist u ngrit mbi principin kristian se në raportet shtet- individ, individi ‘i vogël, mbrohet në çdo rast para shtetit.

Atëherë pse të mëdhenjtë BE dhe i deleguari diplomatik i SHBA, janë bashkuar me pushtetin kundër minorancës në opozitë?

Këta po bekojnë çdo veprim të shtetit mbi opozitën dhe mbi të vegjlit; ndërsa mallkojnë edhe gjashtë djem a të rritur, që me zor gjejnë lekë për biletën e autobusit për të ardhur nga Kavaja në protestën kundër  pushtetit në Tiranë.

Gjashtë armiqtë ‘e vegjël’ të pushtetit u liruan vetëm sot nga qelia, që ditën e protestës rreth Kuvendit. Dhjetë deputetë të opozitës u dënuan për veprën parlamentare të kundërshtimit të aktit kundër Kushtetutës së Republikës. Dy vajza deputete opozitare u rrahën ‘live’ nga një deputet i shumicës, por u ndëshkuar viktimat. Sot në mëngjes një deputet i opozitës është kërcënuar në emër të reformës në drejtësi se ‘do ta pësojë babai yt gjykatës’. Një ministre e qeverisë së maxhorancës absolute, edhe pse në një studio televizive si ‘e barabartë’ ka lëshuar sinjale telefonike fyese kundër drejtuesit të emisionit… Në tërë skenën mes ‘të madhit’ dhe ‘të voglit’ po kërkohet ku ka gabuar i vogli kundër të madhit.

Gjiothë skena ka shije primitive totalitare. Në regjimin komunist të ‘diktaturës së të gjithëve’ i vogli dërgohej në burg edhe po të shkelte barin në park. Kundër tij bashkoheshin jo vetëm policët, por edhe gjykatësit e lagjes e të fshati, fqinjët, familjarët, partia, rinia, gruaja…, të gjithë bënin bashkë ‘unitetin’ e të madhit. Mungonin vetëm BE dhe ambasadorët, sepse ata ishin të shpallur armiq të regjimit…

Ç’janë këto sinjale kaq të frikshme në këtë kohë lirie?

1.

Rrënimi i demokracisë tani po kryhet përmes formave ‘njerëzore’, jo me armë dhe burgje. Përfitimi pasuror dhe trafiku i influencave lidhen vetëm me marrëdhënien ‘njerëzore’ me të madhin. Kjo e bashkon lumin e ‘kryqëzorëve’ që vërshon kundër pakicës.

Nga pala e të mëdhenjve të botës: Prej disa vitesh është konstatuar se ambasadorët dhe përfaqësuesit e organizmave ndërkombëtare, kur vijnë në Shqipëri janë të zakonshëm, por largohen shumë të pasur, madje milionerë. Ata janë të interesuar që ‘të forcohet’ shumica; madje edhe duke mbjellë drogë në gjithë vendin, sepse ashtu shtohet pasuria e tyre që vilet edhe prej saj. Nëse të rinjtë shqiptarë helmohen dhe vdesin nga droga, kjo nuk i intereson askujt; ata që vdesin janë të vegjël!. Analistët perëndimorë prej kohe po konstatojnë se ‘ambasadorët nuk kanë më lidhje me zhvillimin e demokracisë’. Pra po instalohet sistemi ‘peshku i madh dhe peshku i vogël’, siç tha edhe Lu, por në kuptimin tjetër.

Nga pala e të vegjëlve në vend: Këta janë hallexhinjtë e përditshëm, këta janë që zbresin nga apartamenti dhe e shtyjnë kohën pa punë në kafen e lagjes. Por po të dëgjuan se ke kritika për shumicën, dmth., për të fuqishmin, të nxjerrin sytë. A nuk i lexoni në mediat sociale, çfarë tmerri?! Këta të gjithë bëhen kundër të vegjëlve, atyre që përpëliten kundër padrejtësisë dhe pushtetit. Megjithatë ankohen se ‘nuk kemi opozitë, s’është opozitë kjo jona’.

Maxhoranca i jep vetes të drejta ‘të padrejta’. Sepse i madhi është i dënuar që të shërbejë të vegjlit. Ky është parimi i jetës që nga familja, në kopshtin e fëmijëve, në rrugë e deri në majën e pushtetit. Aq më tepër në majë të pushtetit. Në rastin tonë, fitimtari kërcënon të humburin që ditën e parë kur merr fronin. I humburi konsiderohet ‘i turpëruar’ në moralin popullor. Edhe moralin e menaxhon i madhi. I madhi shfaqet në media çdo orë e çdo ditë; në celulën e vogël familje bëhet sundimtar.

Pastaj merr të drejtat e padrejta që të keqpërdorë pasurinë kombëtare, të favorizojë të vetët dhe të shtypë të tjerët, të zgjerojë kufijtë e të madhit me vlerën që kanë prodhuar të gjithë… I madhi këtu merr të drejtën edhe që të gjykojë tjetrin para se të shkojë në gjykatë. Por edhe gjykatën e gjykon….

Jemi nën sinjale të rrezikshme, sepse edhe populli i varfër është me të ‘ariun’ që i ka fshirë arën me misër dhe mjaltin e bletëve…

Veritas.com.al/