Situata e zjarreve në vend vijon të jetë problematike në disa zona. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se puna është duke vijuar pa u ndalur dhe aktualisht po punohet për vatrën e shfaqur në anën tjetër të Malit të Tërbunit e cila është zhvilluar nën ndikimin e erës.

Erërat e forta po favorizojnë vatrat e zjarreve në malin e Tërbunit, në Pukë, ku duket se situata është komplikuar shumë.

Sipas informacioneve bëhet me dije se deri më tani janë djegur 15 ha, pisha e ah.

Nga ana tjetër, drejtori i shërbimit pyjor në Bashkinë e Pukës, tha se shpresohet se gjatë ditës së sotme, të neutralziohen të gjitha vatrat, falë ndërhyrjes nga toka e ajri.

 Ai i bëri apel qytetarëve që të tregojnë kujdes kur frekuentojnë këto zona, pasi dyshohet se zjarret janë të qëllimshme e jo të shkaktuara në mënyrë natyrale.

Sapo jemi vendosur në dijeni për zjarret kemi ardhur në terren. Na u kërkua ndërhyrje nga ajri, jemi munduar me të gjitha mundësitë të vendosim zjarret në kontroll. Besojmë që brenda ditës do të neutralizojmë këto vatra zjarri, falë mbështetjes që kemi nga ajri.

I bëj thirrje publike të gjitha banorëve, të kenë kujdes në këto masive pyjore, pasi mund të bëhen shkak nga një mjet rrethanor për vendosjen e zjarreve në këto masive. Kjo është pasuri kombëtare. Këto pyje janë të trashëguara dhe të ruajtura”, tha drejtori

Raportohet se 42 efektivë të Forcave të Armatosura dhe rreth 30 forca te pushtetit vendor po punojnë për vatrat e zjarrit në fshatin Flet në bashkinë e Fushë-Arrëzit dhe në fshatin Dardhë ku situata është delikate dhe po punohet nga ajri me helikopterin tonë për ta izoluar.

Ndërsa në fshatin Thirrë aktualisht situata është më e qetë dhe punohet për vënien nën kontroll të vatrave, ndërkohë vijon sërish operacioni nga toka dhe ajri.

Në qarkun e Lezhës ditën e djeshme është arritur 60% e izolimit te vatrave ndërsa në bashkinë e Mirditës, vatra e zjarrit është me intesitet të ulët.

Në “Majën e Rrunës“ situata e vatrave të zjarrit vazhdon të jetë problematike. Terreni i vështirë nuk e ka ndaluar punën e efektivëve  të cilët vijojnë edhe sot të punojnë nga toka për vënien nën kontroll të disa prej vatrave.

Në fshatin Kaçni në Dibër, gjatë natës zjarri është zhvilluar në dy vatra dhe falë punës së efektivëve është mundësia që deri në fund të ditës së sotme të izolohet.

 

VERITAS.COM.AL