Thatësira e gjatë e ka detyruar qeverinë të ndërhyjë për të ndryshuar buxhetin e shtetit. Këtë e pasqyron akti normativ të Ministrisë së Financave, i cili ndryshon buxhetin e këtij viti veçanërisht në dy zëra: mbështetjen për energjinë dhe fondin rezervë.
Sipas draftit të rishikuar, qeveria do të japë 3 miliardë lekë të tjera për sektorin e energjisë, nga 1.5 miliardë që kishte parashikuar në fillim të vitit. Fondet shtesë do të shkojnë për të paguar kreditë e kompanive publike të energjisë.
Për shkak të shpenzimeve të larta për blerjen e energjisë nga importi, kompanitë energjetike shtetërore, veçanërisht OSHEE, kanë ndërprerë shlyerjen e borxheve të marra me garanci të qeverisë. Këto pagesa tashmë do të merren përsipër nga buxheti i shtetit.
Mbështetja për energjinë nuk është zëri i vetëm që preket. Thatësira ka edhe një kosto tjetër për buxhetin e shtetit, atë që vjen nga emergjencat.
Drafti i rishikuar rrit me 1.2 miliardë lekë, ose gati 10 milionë dollarë, fondin rezervë të Këshillit të Ministrave, i cili shkon për të përballuar faturën e zjarreve, por edhe ngjarjeve të tjera të paparashikuara që mund të ndodhin deri në fund të vitit.
Shpenzimet shtesë për energjinë dhe emergjencat nuk do ta prekin borxhin. Qeveria ka rritur me 2 miliardë lekë planin e të ardhurave buxhetore, që do të thotë se buxheti do të grumbullojë më shumë të ardhura, ndërkohë që paralelisht ka kursyer 4.1 miliardë lekë nga interesat e borxhit.
Veritas.com.al/