Tre shtetas kanë rënë në pranga, pasi i vodhën nën kërcënimin e armës, automjetin luksoz dhe 6000 franga një shtetasi me banim në Zvicër, i cili kishte ardhur për pushime në Durrës.

Mësohet se 2 prej tyre janë me precedentë të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit dhe në fushën e vjedhjes së pronës.

Bëhet fjalë për K. R., 33 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhja” dhe “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” mbetur në tentativë, pasi në vitin 2013, në qytetin e Vlorës, ka tentuar të vrasë me mjet prerës (thikë), shtetasin S. P. dhe ka plagosur me thikë shtetasin Sh. D.

Po kështu H. S., 40 vjeç, banues në Durrës, i dënuar në Itali për veprën penale “Vrasja” dhe në Shqipëri për veprat penale “Vjedhja” dhe “Armëmbajtja pa leje” si dhe G. D., 42 vjeç, banues në Durrës.

Shtetasit H. S. dhe K. R. dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, nën kërcënimin e armës, i kanë marrë automjetin tip “Audi Q5” dhe 6000 franga zvicerane, shtetasit B. F., 33 vjeç dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të Kavajës ku kanë kërkuar ndihmën e shtetasit G. D., për t’i ndihmuar që të fshihnin makinën pasi po i ndiqte Policia.

Dy shtetasit, për t’i shpëtuar Policisë, kanë braktisur mjetin dhe janë larguar, por janë kapur bashkë me shtetasin G. D., pas ndjekjes dhe punës profesionale të kryer nga shërbimet e Policisë.

Gjatë operacionit shërbimet e Policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale automjetin e shtetasit B. F., si dhe po punohet për gjetjen e shumës së frangave të vjedhura nga dy shtetasit e arrestuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës për veprime të mëtejshme.

VERITAS.COM.AL/