Nga: Shqiptarja.com
Një 28 vjeçare humbi jetën dje (30 janar 2024) një ditë pas një ndërhyrjeje plastike në spitalin privat ‘Amerikan 2’ në Tiranë. Irida Hasalla i ishte nënshtruar operacionit Liposuction, ose heqja e dhjamit edhe pse kishte dy vite që kurohej nga kanceri në Belgjikë dhe sipas familjarëve ishte e ndaluar çdo ndërhyrje tjetër tjetër.
“Vjen në Shqipëri për të bërë një vizitë te spitali Amerikan, për të bërë një operacion për të hequr disa kile. Sipas mjekëve ajo nuk duhej të ishte operuar fare se nuk i lejohet. Duke parë parasysh kartelën që ka nuk duhej të lejohej fare” thotë i vëllai Arenc Hasalla sot në një prononcim për Report Tv jashtë ambienteve të Institutit të Mjekësisë Ligjore ku trupi i 28 vjeçares do i nënshtrohet autopsisë.
Sipas familjarëve Irida kishte tumor në mitër dhe metastazat ishin përhapur në 75% të trupit.
“Sëmundja e tillë nuk e lejon me bo asnjë lloj veprimi, as me heq dhëmballë, as antibiotikë asgjë“
Shoqja e Iridës e cila i ka qëndruar pranë në ditën e operacionit ka thënë se pagesat spitalit janë bërë me urgjencë në orën 23:30 të natës.
‘Janë paguar mbi 4000 euro për operacionin’- ka treguar shoqja.
Familjarët kanë bërë denoncim në polici për mjekim të pakujdesshëm. Eshtë ngritur grupi hetimor dhe janë kryer veprimet e para procedurale si autopsia, marrja në pyetje e familjarëve, marrja në pyetje e mjekëve dhe anestezistit që kanë marrë pjesë në operacion.
Ndiqni lajmet në zhvillim