Shqipëria do të ketë së afërmi përfaqësitë e saj diplomatike edhe në Kenia, Indi e Indonezi, duke forcuar kështu pasaportën shqiptare në botë.

Lajmi u bë me dije nga ministri i jashtëm, Igli Hasani, nëpërmjet një postimi në Facebook.

Vendimi, thotë Hasani, u mor në Këshillin e Ministrave, nisur nga objektivat strategjike afatmesme dhe afatgjata, për të qenë më efektivë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Turizmi dhe zgjerimi i hartës së lëvizjeve të shtetasve shqiptarë për qëllime turistike, është një tjetër argument, mbi të cilin Ministria e Jashtme u mbështet për propozimin e hapjes së 3 përfaqësive të reja.

Pas këtij vendimi, numri i përfaqësive shqiptare në botë shkon në 60, ndër të cilat 44 ambasada, 9 konsullata të përgjithshme dhe 9 misione të përhershme.