Nga: Agim Xhafka/

Kur mësova se Luani nuk jeton më është pak të them se m’u prenë gjunjët dhe gati u rrëzova. Ndjeva një trokth të fortë në zemër,lotët që nisën marshimin dhe çudi aq të madhe sa po prisja që matanë telefonit të më thoshin se ishte ‘fake new’. Por asgjë nuk ndodhi. Luani ishte nisur për matanë pa i ‘erdhur’ fare keq për veten,që iku i ri, për familjen dhe për ne shokët.

Ishte njeriu i parë që takova në Velçan kur më caktuan mësues fshati. Ishte gusht dhe u nisa nga Korça herët,por mbërrita në atë humbëtirë afër mbasdites. Jo nga vapa,se sa nga lodhja,më dilte gjuha si qentë që shihja rrugëve në qytet,isha mbytur në djersë,kisha etje dhe uri të paparë. U afrova tek shkolla që kishte një dryn te dera e pashë djathtas një njeri që kishte hyrë në një gropë të madhe dhe gërmonte me lopatë.

-A mund të më thuash ku është mensa?- e pyeta.

U çudit që nuk më kishte vënë re dhe kërceu drejt e te këmbët e mija.

-Mësues je?

-Po.

-I kujt lënde?

-Letërsi.

-Pra je Agimi.

Më përqafoi e më shtrëngoi fort.

-Më quajnë Luan Sadikllari, jam mësues fillore. Kam shtëpinë ngjitur me shkollën. Eja te mensa ime sot,se ajo e kooperativës hapet nesër.

Kjo njohje më ngrohu atë çast,ato mote e më ngroh dhe sot kur më vjen ndër sy syri i qeshur dhe i butë i atij njeriu madhështor.

Luani kishte dhe gruan mësuese. Ishin martuar para ca vitesh e kishin dy çuna. Njeri për shkollë e tjetri një muajsh. Gropa që po hapte ishte shtëpia për çunin e madh. Se do rritet e do martohet,më tha. Më mbajti për drekë me ç’u ndodhej,por me aq ngrohtësi sikur isha në shtëpinë time. Djali i vogël qante,por Vera gjente kohë të ushqente atë e të na sajdiste ne burrave me ca raki e ca gjizë.

Mbasdite shkuam në shkollë. Kishte filluar të errej dhe kur u hap dera e jashtme pashë një palë shkallë që të çonin lart dhe kur u ngjitëm shkolla ishte pa tavan. Dukeshin tjegullat marsejeze. Godina qe impozante,por e ndërtuar për ibret. Hapi një derë e më tregoi sallën e mësuesve. Në mes një tavolinë hap e mbyll për regjistrat e klasave.

-Pate fat që erdhe i pari. Kap tavolinën që të flesh rehat.

-Në tavolinë?!

-Hahaha, do mësohesh. Do gjejmë një beze të madhe si thes,do e mbushim me kashtë e do jetë dyshek i përsosur.

Nuk mbaroi fjalën kur ia nisi një rrebesh shi vere. Filloi të pikojë uji çurg në disa vende. Më kapi paniku. Por Luani nga një dollap nxori një tigan,ca tenxhere,ca pjata e i vendosi aty ku rridhte uji. Qeshte e më shihte. Ndoshta isha bërë për të vrarë veten. Se isha 22 vjeç, vija nga Tirana e drejt diku ku as rrugë s’kishte,as radio,as tv e as telefona.

Më mbajti me zor te shtëpia e vet e të nesërmen mbushëm dyshekun dhe e vumë mbi tavolinë. Kur fjeta natën e parë mbi atë mal me kashtë thashë se do rrëzohesha. Mbasdite erdhën plot të rinj e të reja,por tavolina kishte zot.

Mëngjeseve vraponim drejt e tek përroi që sillte ujë burimi nga Lenija. Aty laheshim e rruheshim. Dita ditës gjenim mundësi për të harruar lëndimin shpirtëror e Luani ishte psikologu ynë. Te ai qanim çdo hall. Ai na zgjidhte problemet e ushqimit në mensë,na sharronte ndonjë dru zjarri në të ftohtë,na gjente ndonjë mushkë kur merrnin nga qyteti jorganë e plaçka. Siç mbasditeve na mblidhte te shtëpia e tij e në vend të televizorit tregonim për jetën tonë të gjithë me radhë. Kur po bëhesha gati të ikja nga ai fshat Luani e mbaroi shtëpinë e djalit. Duhet nisur puna për shtëpinë e dytë,më tha. U gëzova që ika nga ai fshat,por edhe m’u dhimbs kushdo që ngeli atje,veçanërisht Luani.

Në vitet më pas shkova çdo vit . Isha gazetar e i rregulloja shërbimet që të mos rrija gjatë pa parë miqtë e mi, fshatarët bujarë e Luanin që e doja si vëlla. Kur ndodhën përmbysjet e ’90 bëra një pauzë të gjatë. Se u ndodha në udhëkryq për vete. Me fëmijë, i pushuar na puna, plot strese e përpjekje të mbijetoja,harrova shumë miq. Se ashtu erdhën hallet. E harrova dhe Luanin. Deri sa një ditë rastësisht mësova se kishte nisur punë mësues në Vorë. I hipa makinës dhe e ndala frymën te ai. U çmalla dhe shkuam në Durrës. Se donim muhabet të gjatë. E pa që fshati po boshatisej dhe iku pa mëdyshje. Nuk pyeti për prona e për tokë atje ku dhe pulat kishin marrë arratinë. Bleu një truall në Vorë dhe beri shtëpi tre katshe. Shtëpia e tretë. Djemtë ia mbathën në Greqi dhe ishte mirë financiarisht,por bosh pa fëmijët. Qeshte dhe binte në dhimbje.

Prej asaj dite e takova disa herë. Më pas u ndava mes Tiranës e Amerikës e lajmi se Luani nuk jeton më tronditi.

Ishte shqiptari tipik që shpresoi se jeta do i rregullohej nga viti në vit,duroi e luftoi edhe kur shihte se rrokopujë nuk po ndalej. Jetoi i bindur ndaj shtetit edhe pse ai ishte mizor me njerëzit e vet, i çoi në uri e në urrejtje ndaj njeri tjetrit. Luani qe antibiotiku i jetës sime e plot të tjerëve që jeta i hodhi në skërka. Ai na mjekoi me fjalën e mirë,durimin,shembullin dhe optimizmin. Në se njerëzimi beson tek zoti,beson nga që në jetë takojmë Luanin apo njerëz si Luani. Dhe është paradoks se ai burrë që nuk la sëmundje të afrohej tek ne u rrëmbye nga një leucemi akute sa hap e mbyll sytë. Me jetën ai ishte i kënaqur,por kishte brenga me dëshirat e tij. Përherë donte sa më shumë njerëz rreth vetes. Ikja larg e të dashurve la shteg t’i qasej lëngata. U largua Luani si një qengj i mirë,i urtë,i dashur dhe i butë me këdo,i respektuar deri në dhimbje e deri në mosharrim. Lamtumirë,mik e vëlla,adio shok…

Veritas.com.al/