Në orët e para të mëngjesit një sasi lëndë plasëse ka shpërthyer në derën e banesës së Muhamet Dukës, që ndodhet në katin e katërt të një pallati në zonën e Freskut në Tiranë.

Si pasojë e këtij shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale, ndërsa Muhameti është babai i Elis dhe Leonard Dukës, ky i fundit  njihet si drejtuesi i klanit “Duka”.

Mësohet se familjet e vëllezërve Leonard dhe Elis Duka prej 5 vitesh  nuk jetojnë më aty, po ashtu as prindërit e tyre të cilët nuk dihet se ku jetojne.

Sipas fqinjëve banesa i ishte lënë një persona për ta kontrolluar, por deri më tani policia nuk ka ende dijeni se kush mund të jetë ky person.

Gazetarja e ABC News, Xhensila Kodra bën me dije se dyshohet se është një paralajmërim ose kërcënim mes grupeve, ose mund të jetë një ngjarje e stisur nga vetë vëllezërit pasi pritet që ata shpejt të ekstradohen nga Belgjika .

Ndërsa po ashtu bëhet me dije se në banesën ku është vënë sasia e vogël e tritolit kishte 4 vite që nuk jetonte njeri.

Kujtojmë që klani “Duka” është armik i betuar i Ervis Martinajt.  Armiqësia mes grupeve nisi në vitin 2019 me vrasjen e Santiago Malkos, njeri i besuar i Martinajt.

Ervis Martinajt prej kohësh është i zhdukur dhe nuk dihet asgjë rreth tij, por kjo është ngjarja e dytë pas atentatit ndaj Fation Muratit, që tregon ose për një rikthim të tij, ose për një hakmarrje të miqve të tij.