Korrektesa është konsideruar përherë virtyt i natyrës njerëzore. Kjo vlen në terma të përgjithshëm kur konsiderojmë një sjelljë tradicionale të popujve të caktuar, por vlen dhe në raste individuale kur kujtojmë persona me të vërtetë “të pagabueshëm”. Për sa i përket popujve, atyre të përpiktë dhe serioz, me siguri kujtoheni për gjermanët, por akoma më të rreptë janë japonezët dhe fare pranë tyre nën guackën e përpikmërisë racionale duhet përherë të konsideroni kanadezët. Në anën tjetër, kur flasim për individë serioz dhe korrekt, për sa kohë nuk e kemi fjalën për karakterin i cili është i lindur sipas një probabiliteti të pamatshëm, me siguri që po flasim për ata me profesione të caktuara, ambjenti i punës së të cilëve e kërkon përpikmërinë. Dhe këtu në krye qendrojnë financierët të ndjekur nga inxhinierët dhe nga kirurgët. Përtej dy profesioneve të fundit, në këtë shkrim do të analizojmë finacierët dhe korrektesën e tyre sepse në thelb do të shpjegojmë ndikimin e parasë në sjelljen e njeriut.

Financierët mund ti përkasin disa profesioneve por në thelb mbeten persona shumë korrekt dhe përherë serioz. Ata mund të jenë bankierë, agjent burse, llogaritarë, këshilltarë, politikanë apo profesorë. Pavarësisht punës së tyre të përditshme, financierët i bashkon mes tyre dhe i dallon nga të tjerët fakti se u duhet të bashkëjetonë me paranë më shpesh se kushdo. Mbetet absolutisht i pakundërshtueshëm fakti, ne shqiptarët e njohim mirë, se kur flitet me dhe për para, korrektësia dhe serioziteti janë të detyrueshme.

Për të kuptuar më shumë mbi këtë sjellje të kushtëzuar të njeriut përballë parasë, e cila na bën dhe më korrekt, duhet të rikthehemi tek titulli i shkrimit dhe të krahasojmë të menduarit shoqëror (social) dhe të menduarit financiar. Në një shkrim në blogun e tij prestigjoz, Dr.Jeremy Dean përdor studimin e dy profesorëve nga Universiteti i Kalifornisë në Berkley në Shtetet e Bashkura, James Heyman dhe Dan Ariely, për të shpjeguar këtë krahasim. Këta të fundit, në vitin 2004, matën për herë të parë krahasimin ndërmjet dy mënyrash sjellje plotësisht të ndryshme. E realizuan këtë studim duke angazhuar dy testime të njëpasnjëshme. Testi i parë lidhej me vizatimin e sa më shumë rrathëe në një program kompjuterik. Tre kandidatë ishin kontaktuar me metoda të ndryshme duke marrë si pagesë për testin respektivisht 5 dollarë, 50 dollarë dhe 100 dollarë. Eksperimenti publikoi rezultatet dhe u pa se ashtu si shpërblimet, edhe angazhimi i kandidatëve kishte qënë relativ. I pari kishte viatuar rreth 101 rrathë në një orë, i dyti 159 dhe i treti 180. Duke analizuar përfundimin studimi shpjegonte qartë se në padituri nga kandidatët e tjerë, ai më i paguari ishte angazhuar me dyfishin e përqendrimit për të “kryer detyrën” dhe në fakt kishte arritur më shumë sukses. Pra a nuk është e dukshme se korrektesa më e lartë është e lidhur me paranë?

Në testin e dytë, me ndihmën e Universitetit të Minnesota-s, Heyman dhe Ariely përfshinin shpërblime me natyrë të ndryshme. Testi ishte përsëri me vizatimin e rrethit por këtë herë kandidatëve u ofrohen produkte ushqimore me vlerën e respektivisht 5, 50 dhe 100 dollarë. Pas testit të parë pyetja është, a ka rezultate më të larta me dhurata  më të larta (jo parà)? Rezultatet e testit të dytë zbulojnë se të tre kandidatët kanë vizatuar në ngjashmëri të lartë me njëri tjetrin afërsisht 160 rrathë secili. Për pasojë është e qartë se në botën sociale, në aktivitetet pa përfshirjen e parave, shpërblimi nuk ndikon në performancë e aq më pak në korrektesë. A ka ardhur momenti të themi se kemi prova të mjaftueshme për të lidhur drejtpërdrejt paranë, financierët, me seriozitetin dhe korrektësinë?

Ekziston dhe një eksperiment tjetër i realizuar nga Dr.Kathleen Vohs i cili tenton të kuptojë se si ndryshon sjellja e njeriut kur duhet të mendojë për paratë. Eksperimenti inteviston disa nga pjesëmarrësit duke i detyruar në mënyrë të pandërgjegjshme të mendojnë për paranë nëpërmjet lojërave me letra dhe basteve. Ndërkohë që pjesën tjetër e interviston pa i folur në mënyrë kategorike për ceshtje të lidhura me paranë. Në përfundim të eksperimentit pjesëmarrësve u thuhej se komuniteti po mblidhte fonde për familjet në nevojë dhe se ishin të lirë të dhuronin për kauzën. Përfundimi ishte shumë i qartë. Ata që kishin në mendje paratë dhuruan shuma parash më të vogla se të tjerët. Arsyeja qendron tek racionaliteti dhe përllogaritja që na mbulon mendimet kur në mes qendron paraja.

Tek sa mendojnë për paranë në cfarëdo forme të mundshme individët bëhen më egocentrikë, më të vetëkujdesur, më të përqendruar në realizimin e objektivave dhe për pasojë të pashmangshme nga të gjitha këto, më korrekt!

Në përfundim, kur shpërblehesh me shumë para je më korrekt, kur nuk paguhesh me para por me mjete të tjera nuk ka rëndësi korrektësia dhe kur ke në mendje paratë je më i përqendruar dhe ke më shumë performancë. Si një profesion i pandashëm me paranë, edhe financat duhet të themi se gëzojnë të njëjtat veti si më sipër.

Nëpërmjet këtyre tre faktimeve është më lehtë e kuptueshme pse profesioni i lidhur me financën  e ka të patolerueshme vonesën apo mungesën e korrektësisë.

 

Enio Civici