Nga Frrok Çupi
Ka një koincidencë të pashoqe mes dy shifrave që shoqëruan katastrofën e natës mes datës 15 dhe 16 korrik në Turqi: Në sekondën kur ata të Presidentit njoftuan se “grushti i shtetit dështoi”, në atë sekondë, po nga Presidenti që ndodhej në ajër, u dha një shifër: 90 të vrarë! Për secilin që njeh historinë e re të Turqisë, shifra 90 (të vrarë) koinccidon me shifrën historike 90 vjet që nga Qemal Ataturk, babai i Turqisë së re…
Fillimisht as që mund t’i kushtosh shumë vëmendje kësaj koincidence. Por kur po dalin disa fakte që dëshmojnë për një intrigë presidenciale mbi grushtin e shtetit në Turqi, atëherë edhe këto dy shifra bëjnë një lidhje. Në qoftë se Erdogan e kurdisi grushtin e shtetit, vallë deri në këto hollësira e kishte projektuar?; d.m.th., deri në hollësinë që 90 viktima të ishin sa 90 vjet distancë prej Qemal Ataturk?!
Këtu ka një logjikë: Grushti i shtetit ishte një tentativë për të goditur Turqinë e ndërtuar nga Ataturk. Por edhe “mbreti” aktual Erdogan, në thelb, është një armik i egër i Qemal Ataturk.
Ndërsa Ataturk ishte një laik i mahnitshëm, Erdogan është një Islamik i mahnitshëm.
Ndërsa Ataturk ishte një republikan i ndritur që e donte “turkun e mirë”, një turk kundër analfabetizmit, me një gjuhë turke të shkruar me germa latine, me muzikë në sheshet e qytetit; Erdogan ëndërron “turkun e mirë” me gra të mbuluara, me sa më pak arsim, të kthyer te gjuha otomane e vjetër, me një republikë nën këmbët e veta, me një turk që të ngjajë me nomandët më shumë.
Erdogan, teksa po zbriste nga qielli “i burgosur”, edhe që atje iu drejtua “Allahut” për të vendosur regjimin e dhunës dhe të terrorit mbi tokë. Ai tha se grushti i shtetit ishte “një dhuratë nga Allahu për të pastruar radhët e ushtrisë”. Të vrarët, “nën hakmarrjen e Allahut” paralajmërohen qindra herë më shumë se shifra 90 që mbante në xhep Presidenti i Turqisë teksa voziste qiejve.
Megjithatë, shifra 90 (të vrarët si dhe vitet që nga Ataturk), është gjëja më e vogël që e lidh fatin e keq të Turqisë nën një grusht shteti; dhe fatin më të keq të Turqisë pas grushtit të shtetit. Substanca është kjo: Grushti i shtetit mund të jetë inskenuar nga vetë Presidenti i Republikës. Një nga deputetët e vjetër të Parlamentit turk, Vaykal, deklaroi se këtë e bëri vetë Erdogan.
Ku janë “shenjat e gishtave” të Erdogan mbi grushtin e shtetit?!
Ne, qytetarët e botës nën dhunë dhe diktaturë të vendosur pas Luftës së Dytë, e njohim shumë mirë intrigën e autokratit.
Autokrati e nis me shpalljen e tij si zot. Erdogan e ka bërë këtë, emëron veten në postet më të larta, herë president e herë kryeministër.
Pas, ose edhe para vdekjes, Erdogan tenton Dinastinë. Dje gjatë “grushtit” kishte pranë dhëndrin e vet. A merret dhëndri dhe vajza po të jetë vërtet grusht?!… Megjithatë!
Autokrati nuk pret sa ta zbulojnë armikun, diktatori e ka gjithnjë në xhep kartën e armikut. A nuk e kishte Hoxha (ky yni) në xhep kartën e armikut Amerikë, Angli, Perëndim, liberalizëm dhe besim. Erdogan, edhe që nga grushti, hapi dorën e nxori “armikun Gulen” në Amerikë.
Autokrati fiton gjithnjë mbi “komplote të përsosur”, jo mbi hiçgjë. Edhe Erdogan këtë gjë bëri. Fitoi mbi një grusht shteti të “organizuar saktë”, siç tha deputeti i tij Vaykal.
Autokrati luan në “skenë” dhe mahnit spektatorët. A nuk e bënë këtë diktatorët e egër të Lindjes, që nga Stalini, Mao, Çaushesku dhe Hoxha?! Erdogan, para grushtit të shtetit u zhduk gjashtë ditë nga të gjitha mediat, (çfarë nuk kishte ndodhur kurrë) dhe kur u shfaq, u shfaq si viktimë qiellore. A nuk fitoi Enver Hoxha fuqi të mëdha djalli pas dështimit të komplotit “të përsosur” të CIA-s kundër tij në vitin 1947?…
Autokratët përvetësojnë arritjet e kohës dhe i kthejnë në domen të tyre, të tjerët janë milingona që nuk mund t’i përdorin. Erdogan e bëri këtë me kibernetikën dhe rrjetet sociale. Ai është shpallur si një nga armiqtë më të egër; por në momentin e grushtit ai përdori Facebook, facetime, internetin dhe televizionet e vendit…
Në qoftë se grushtin e shtetit e ka përgatitur vetë Erdogan, edhe pse grushti dështoi, Turqia nuk ka shpëtuar. Republika është goditur. Rreziku është që Turqia pas kësaj të hyjë në një ferr autokracie; ose edhe më keq. Por edhe sikur grushti të ishte real e të mos ishte bërë gati nga Erdogan, ai do të sillte asgjë të mirë, veçse luftë, kaos, goditje mbi Republikën dhe tmerre pa fund.
Në të dy rastet është goditur Republika. Kjo, republika, ishte madhëria që ndërtoi Turqia e re pas Sulejmanit të Madhërishëm, nën udhëheqjen e Ataturk. Armiku më i madh i Ataturk, Presidenti Erdogan, tani ka një festë.
Gjithë festa presidenciale është në dëm të Turqisë.
Tani Erdogan përgatit fushën ku do të përgjaken kundërshtarët. Dje civilët e ndërsyer prej shtetit iu sulën ushtarëve, i shkelën me këmbë dhe iu morën frymën qindrave prej tyre. Linci do të jetë më i përgjakshëm. Kryeministri tha dje se është koha “për kthimin e dënimit me vdekje”.
Parmbrëmë Erdogan, “që nga qielli” lëshoi sinjalin se avionin e tij presidencial nuk po e pranonte as Gjermania, as Italia, as Anglia. Asgjë nuk ishte e vërtetë; por e vërtetë bëhet “urrejtja popullore” kundër Perëndimit që nuk pranoi “mbretin e vdekur”.
Akoma pa nisur “grushti”, Erdogan shpalli autorin: Ushtria! Një legjendë e tejkaluar që në vitet 80 kur “gjeneralët merrnin me grusht pushtetin”. Pas kësaj intrige, o ushtria do të vihet nën këmbët e Presidentit, o ushtria do të shpallet bashkëpunëtore në “komplotin perëndimor”. Ushtria e Turqisë është pjesë e NATO-s. Atëherë, o divorc nga NATO, o imponim ndaj NATO-s. Në planin politik Erdogan nis e pret urat me Perëndimin. Miliona refugjatë në brigjet turke ose brenda Turqisë i pret ferri; Evropa do të ngarkohet me barrë akoma më të rëndë. Në Lindjen e Mesme, Indi e ndoshta edhe në Euroazi, Erdogan do të tregojë përralla me heroizëm. Atje ka shpresë se do t’i mahnitë me heroizmin e “Sulejmanit” të ri, dhe të përhapë Otomaninë personale.
… Dje, pas grushtit të shtetit, Turqia nuk shpëtoi. Edhe me “grushtin” nuk do të ishte e shpëtuar.