Niveli i çmimeve të konsumit  ka pësuar një ulje të ndjeshme përgjatë marsit. Sipas INSTAT inflacioni ka zbritur në nivelin 5.3% nga 7.1 që ishte në shkurt të këtij viti. Ndikim kryesor në uljen e inflacionit kanë dhënë çmimet e  karburanteve të cilat gjatë marsit janë shitur në nivele më të ulëta në krahasim me periudhën e para nisjes së konfliktit Rusi-Ukrainë. Aktualisht një litër naftë në vend po shitet  me 184 lekë ndërsa benzina me 186 lekë. Sipas INSTAT çmimet e grupit “Transporti” të ndikuara nga karburantet  u ulën  me -0,49 %  .

Ndërkohë që rritja  vjetore e çmimeve në muajin Mars është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”  që janë rritur me 3,94 % pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”si  dhe “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” .

Por edhe në këto grupe  nëse i krahasojmë me një muaj më parë konstatohet një ngadalësim i ndjeshëm .

Ulja e inflacionit është një faktor pozitiv për ekonominë shqiptare por edhe një mundësi për ulje të normave bazë të interesit. Gjatë muajit të fundit norma bazë e interesit arriti në 3% duke dhënë ndikim direkt në shtrenjtimin e kredive .Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni të vijoj të ulet me ritme të shpejta në muajt e mbetur për tu kthyer në objektivin  e vendosur nga Banka Qendore në mesin e vitit të ardhshëm.