Reshjet e dendura të shiut të rëna gjatë një dite më parë dhe pothuajse gjatë gjithë natës kanë sjellë probleme në disa qytete të vendit, kryesisht në fshatrat e Shkodrës, Lezhës si dhe të Fushë-Krujës, duke shkaktuar edhe problematika.

Në Lezhë reshjet e rëna gjatë natës kanë shtuar prurjet në lumin Mat. Për pasojë është dëmtuar njëra këmbë e urës së Zogut dhe është fundosur 2 metër. Ura e Zogut, e cila është monument kulture, i është dëmtuar e gjithë struktura, përfshi edhe harqet dhe rrezikon të shembet plotësisht.

Sakaq reshjet e shumta të shiut të rëna gjatë natës në qarkun Dibër kanë shkaktuar probleme në lëvizjen e mjeteve në rrugën e Arbrit, konkretisht nga ura që lidh dy lagjet e Bulqizës e në drejtim të qafës Buallit. Deri tani nuk është marrë asnjë masë për të hapur kanalin anësor që të largohet prezenca e ujit nga trupi i rrugës.

Probleme janë konstatuar edhe në fshatin Murqinë në Krujë, ku janë përmbytur dhjetëra hektarë tokë bujqësore, ndërsa 10 familje janë izoluar. Në Shkodër problematikë vijon që të mbetet fshati Obot, ku dhjetëra hektarë janë nën ujë. As banorët nuk e fshehin dëshpërimin, ku thanë se kjo situatë është një krim ndaj një popullate që jeton me mund dhe me djersë.