Nga: Esmeralda Selita/
Nuk dihet se ku lindi tamam tamam kinemaja moderne. Në Hollivud apo larg tij? Nuk ka një atdhe Modernia në Kinema. Dihet vetëm që kinemaja, si njeriu, ishte ndjerë shumë ngushtë në hapësirën e midis dy luftrave botërore dhe tentonte tek tuk e aty këtu të nxirrte krye “ndryshe”. Pas luftës së dytë botërore, kinemaja do të hynte në moshën e arsyes… dhe pas viteve ‘60 e këtej do të ishte në kërkim të vazhdueshëm të formave të reja të cilat do të bëheshin njëherësh dhe gurët kilometrikë të kufijve të rinj të kinemasë.
Larg Hollivudit, larg Francës, Italisë apo Anglisë, nëpër botë, lindin kinema me stile të ndryshme që i kapërcejnë kufijt nacional, si kinemaja koreane, ajo daneze. Kinemaja nga Hongkongu, etj.
Por, ajo që më ka bërë gjithmonë përshtypje, kur këqyr këtë periudhë të historinë së kinemasë, periudhë shndërrimesh të këtij arti të ri, është një raport krejtësisht i zhdrejtë midis të “resë” që lindte – fenomenale, revolucionarizuese – dhe përfaqësimit të grave, regjisore apo profesioniste të kinemasë (nuk e kam fjalën për grate-aktore). Ato bëhen gjithnjë e më të rralla, por gjithnjë e më të afta. Njëra prej tyre, e rrallë në llojin e vet, e rrallë për “markën” që krijoi, është Marie-Josèphe Yoyotte. Dhe sapo është ndarë nga jeta.
Këto rradhë janë një homazh për montazhieren që e fitoi tri herë çmimin Oskar dhe që punoi me më të mëdhenjt e kinemasë franceze, me Jean Rouch e François Truffaut…
Meraku i saj i vetëm? Të shpikte forma të reja narracioni…
Nga viti 1957 deri në 2007, Marie-Josèphe Yoyotte ka kaluar nëpër gërshërët e saj pesëdhjetë vjet të historisë së kinemasë: që nga “400 coups”* te “Peuple migrateur”, “La Guerre des boutons”, “Le Sauvage”, “La Boum” apo “Microcosmos: le peuple de l’herbe”. Tri herë fituese e çmimit Oskar dhe e dekoruar me Medaljen e Arteve dhe Letërsisë, montazhierja u shua këtë behar në moshën 87 vjeçare… ishte 18 korriku, dita e saj e fundit.
Në “Le Testament d’Orphée” që doli në 1960, Jean Cocteau arrin në një kamp ciganësh. Plani zvogëlohet mbi një grua mulate, pastaj mbi zjarrin në këmbët e saj, tamam në çastin kur kitarja e çakorduar që dëgjohet ndryshon ritmin. Një foto ndërtohet në flakët e zjarrit dhe ia kap përsëri dorën ciganes, në një konceptim të kohës së çrregullt.
Skena ishte montuar “mbrapsht”. Cigania interpretohet nga Marie-Josèphe Yoyotte, nofka e të cilës ishte “gazelle e Saint-Germain-des-Prés”. Në gjenerik, emri i saj nuk figuron si aktore, por si montazhiere. Në 1960, ajo sapo ka kaluar të 30-at, por ajo ka kaluar tashmë nëpër duar pelikulat e Jean Rouch, të François Truffaut dhe të Yves Robert. Kjo skenë e Cocteau-së është një kondensim i figurës së saj si grua dhe si profesioniste: e lirë, shumë e lidhur pas muzikës dhe revolucionare në mënyrën e saj për t’i dhënë prioritet narracionit kundrejt formave të montazhit tradicional.
Shpikësja e formave të reja të narracionit
Ishte “Moi un Noir” që krijoi “markën” e saj, do të pohonte montazhierja në një intervistë radiofonike në 2000. “Jean Rouch-i nuk donte t’ia dinte për plasticizmin, dhe Marie-Josèphe Yoyotte dhe ai merreshin vesh mrekullisht mes tyre për të shpikur forma të reja narracioni”, tregon ish asistentja e saj, Pauline Casalis. Regjisori do ta konfirmonte vetë në “Takimet e tetorit 1999” (Rencontres d’octobre 1999): “Nuk e dinim se ku po shkonim, punonim në një eufori totale (…) montazhi bëhej automatikisht, në aksion.”
Martinikasja, montazhierja e parë me ngjyrë e kinemasë franceze
Me baba martinikas dhe mama bretone, Marie-Josèphe Yoyotte lindi në 5 nëntor 1929. Filmi i saj i parë daton në 1957, “À la Jamaïque”, i André Berthomieu. Në 1959, ajo monton filmin e parë të François Truffaut, “Les 400 coups”. Ajo do montojë filma pa fund me Cocteau, Yves Robert, Jean-Pierre Melville, Jean Rouch. Në 1976, nominohet për çmin Oskar për montazhin e “Le sauvage” të Jean-Paul Rappenau, por vetëm një vit më vonë do ta fitojë me “Police Python 357” të Alain Corneau. Ajo monton “La Boum”, “Diva”… Në 1981, me rastin e përpunimit të filmit të Euzhan Palcy, “Rue Case Nègre”, do të zbulojë për të parën herë Martinikën. Ajo monton nga një deri në katër filma në vit, “Siméon”, të Euzhan Palcy, në 1992, viti kur u nominua për “Tous les matins du monde”. Çmimin e dytë Oskar do ta marrë në 1997 për “Microcosmos”, pastaj të tretin në 2002 për “Le Peuple migrateur”.
Marie-Josèphe Yoyotte ka punuar shumë edhe në serialet televizive (“Les liaisons dangereuses”, “Les misérables”, “Le Comte de Monte Cristo” dhe “Balzac”).
“Deuxième soufflé” i Alain Corneau, ishte filmi i fundit, plot dhjetë vjet më pare, që mban firmën e saj si montazhiere.
*Titujt e filmave janë lënë në origjinal (frëngjisht) sepse nuk janë shfaqur ndonjëherë për publikun shqiptar.