
Një i moshuar ka humbur jetën këtë të martë, më 12 gusht, si pasojë e zjarreve në Gramsh. Policia ka njoftuar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00, ku i moshuari rreth 80 vjeç me inicialet B.Zh, ka humbur jetën si pasojë e asfiksimit.
Sipas njoftimit, ai kishte “ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit.”
Shërbimet e Policisë, të Zjarrfikëses dhe të Emergjencave Civile kanë shkuar menjëherë në zonë, ku po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit, si dhe për evakuimin e banorëve të fshatrave në të cilat janë përhapur flakët.
Sjellim ndërmend se situata e zjarreve në Gramsh ka dalë nga kontrolli paraditen e sotme, me Ministrinë e Mbrojtjes që ka përsëritur disa herë thirrjen urgjente ndaj banorëve të tri fshatrave që të largohen.
“THIRRJE URGJENTE! Për shkak të zjarreve, u bëjmë thirrje banorëve të fshatrave Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë të largohen menjëherë nga banesat e tyre dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt.”, thuhet në njoftimin e dytë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Situata e vështirë me zjarret ka shkaktuar kaos te qytetarët, të cilët nuk i janë bindur menjëherë urdhrit të evakuimit dhe nuk kanë dashur të largohen nga banesat e tyre. Ndërkohë para urgjencës shkojnë njerëzit të traumatizuar duke qarë se nuk gjejnë familjarët.
Komente