Ka ndërruar jetë Flora Brovina, mjeke, poete, humaniste, aktiviste për të drejtat e njeriut, ish-e burgosur politike, veterane e luftës së UÇK-së, deputete dhe një nga nënshkrueset e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Lajmin për vdekjen e saj e kanë konfirmuar edhe familjarë, ndërsa njoftimi është publikuar edhe nga djali i saj, Ylli Begu

Ish-deputetja Flora Brovina është ndarë nga jeta sot, në moshën 76-vjeçare.

Flora Brovina u lind në vitin 1949, në Skenderaj.

Ajo ishte poete, mjeke pediatre dhe aktiviste e të drejtave të grave.

Brovina është rritur në Prishtinë, ku vijoi edukimin fillor dhe më pas studioi mjeksinë.

Pas përfundimit të specializimit në Zagreb, ajo u kthye në Kosovë dhe për një kohë ka punuar si gazetare për “Rilindjen”.

Shumë shpejt pas kësaj përvoje, ajo u kthye në profesionin e saj, ku punoi për shumë vite në repartin e pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës.

Ajo ka qenë edhe e burgosur gjatë luftës.

Më 9 dhjetor 1999, në një proces gjyqësor të zhvilluar në Serbi, Brovina u akuzua për “veprimtari terroriste”, në bazë të nenit 136 të Kodit Penal të Jugosllavisë. Ajo u dënua me 12 vjet burgim.

Në qershor të vitit 2000, Gjykata Supreme e Serbisë e anuloi vendimin dhe urdhëroi zhvillimin e një gjykimi të ri.

Pas presionit të madh ndërkombëtar, Flora Brovina u lirua nga burgu në tetor të vitit 2001.

Flora Brovina ka shërbyer si deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës për gjashtë mandate ndërmjet viteve 2001 dhe 2019.

Kush ishte Flora Brovina? Gruaja që e ktheu dhimbjen në poezi, mjekësi dhe qëndresë

Flora Brovina, e lindur më 30 shtator 1949 në Skenderaj, ishte pediatre, poete, gazetare dhe aktiviste e njohur për të drejtat e grave dhe të njeriut.

Jeta e saj u formësua nga përvojat e vështira të familjes, burgosjet politike, lufta dhe dashuria për librin, profesionin dhe Kosovën.

Edhe pse në Skenderaj qëndroi vetëm tre muaj pas lindjes, Brovina e kujtonte me krenari faktin se ishte lindur në Drenicë. Prindërit e saj ishin nga Gjakova. Babai i saj në atë kohë ishte kryetar i rrethit, ndërsa nëna punonte në komunë. Familja u shpërngul më pas në Prishtinë, ku Flora u rrit, transmeton Klankosova.tv.

Kur ishte vetëm tre vjeçe, babai i saj u burgos. Për një periudhë, familja mbeti e përbërë vetëm nga gratë, stërgjyshja, gjyshja, nëna dhe katër vajzat. Edhe disa nga familjarët e tjerë të saj u përballën me burgosjet politike në ish-Jugosllavi, përfshirë dërgimin në Goli Otok.

Këto përvoja të fëmijërisë, Brovina i ka përshkruar edhe në veprën e saj “Stinë Jargovanësh”, të cilën e cilësonte si një roman poetik. Për të, shkrimi ishte mënyrë për të ruajtur kujtesën e një brezi dhe për t’ia përcjellë përvojat gjeneratës tjetër.

Brovina ishte mjeke pediatre, por para dhe gjatë studimeve u mor edhe me gazetari. Ajo punoi në gazetën “Rilindja”, ku u pranua si gazetare së bashku me emra të njohur të gazetarisë shqiptare, ndër ta edhe Jusuf Gërvalla e Mehmet Kajtazi.

Gazetarinë e shihte si një profesion që e kishte ndihmuar ta njihte më mirë Kosovën dhe njerëzit e saj.

“Lirinë e kam fitu në familje, lirinë personale dhe përmes profesionit”, kishte rrëfyer Brovina për OHK.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *