Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Franca ka publikuar një njoftim për shtetasit e saj që ndodhen në Kosovë, duke i bërë thirrje të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditës së 16 shtatorit.
Ministria e Jashtme franceze ka paralajmëruar për zhvillimin e tubimeve të mëdha politike në të gjitha qytetet e Kosovës, të cilat pritet të nisin nga ora 10:00.
Në njoftim, shtetasit francezë këshillohen të qëndrojnë larg zonave ku zhvillohen tubimet, ndërsa u rekomandohet gjithashtu të shmangin udhëtimet që nuk janë të domosdoshme brenda qyteteve dhe në të gjithë territorin e Kosovës deri në përfundim të ditës.
Apeli vjen në një ditë të rëndësishme për zhvillimet politike dhe juridike në Kosovë, pasi më 16 shtator pritet të shpallet aktgjykimi nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Autoritetet franceze, njësoj si ato amerikane, u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre që të tregojnë vigjilencë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale gjatë kësaj dite.
Nesër, më 16 shtator, shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Komente