Autoritetet shqiptare kanë kërkuar ndihmën e shteteve të tjera për hetimet që po kryhen për 2 rusët dhe ukrainasin  e vënë në pranga me dyshimet se kanë mbledhur dhe dhënë informacione me karakter ushtarak.

Shkëmbimi i informacioneve ka nisur që prej të dielës, ndërkohë këto agjenci të huaja pritet të bëjnë verifikimet e tyre për Svetlana Timofeeva, Mikhail Zorin dhe Fiodor Mihailoviç, në mënyrë që të hidhet më shumë dritë se çfarë ata përfaqësojnë.

Për Prokurorinë e Elbasanit e cila ka në dorë hetimet, 3 të rinjtë nuk janë thjesht blogerë dhe hetimi po orientohet për të verifikuar çdo lidhje të mundshme me shërbimet sekrete të huaja.

Në aparatet e tyre telefonike janë gjetur foto të vendeve të tjera të ngjashme për nga rëndësia me Uzinën e Gramshit, ndërkohë të njëjtin aktivitet të rinjtë e kanë kryer në vendin tonë edhe një vit më parë, siç reklamonin në rrjetet e tyre sociale.

Ata kishin hyrë në Shqipëri në fillim të Gushtit të ndarë nga njëri-tjetri dhe pas disa ditësh në kryeqytet kanë udhëtuar në disa vende përfshi edhe Gramshin.

Prokuroria ka ngritur 3 akuza ndaj tyre, mes të cilave edhe sigurimi dhe dhënia e informacioneve ushtarake, ndërkohë 3 shtetasit e huaj pritet të dalin në Gjykatën e Elbasanit për t’u përballur me pretendimet e drejtësisë shqiptare.