Shqipëria po korporatizohet. Vetëm 1 për qind e bizneseve më të mëdha të vendit zotërojnë gati gjysmën e ekonomisë kombëtare. Të dhënat vijnë nga Instituti i Statistikave, përkatësisht nga Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve për vitin 2014. Sipas kësaj Ankete, aktualisht në të gjithë vendin ka vetëm 864 ndërmarrje gjithsej me më shumë se 50 punonjës. Këto janë kryesisht biznese private, por ndërmjet tyre ka dhe korporata publike si OSHEE, KESH apo Albepetrol. Në totalin e numrit të bizneseve aktive, ndërmarrjet e mëdha me me mbi 50 të punësuar zënë vetëm 1 për qind. Por fuqia e tyre ekonomike është e jashtëzakonshme.
“Ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar dominojnë ekonominë shqiptare dhe vitin e kaluar realizuan 44,5 % të shitjeve totale neto,” vëren Anketa. Instat nuk jep detaje se në çfarë fushash janë të përqendruara kryesisht këto korporata. Por të ndara sipas aktivitetit, pjesa më e madhe e tyre janë ndërmarrje në sektorin e prodhimit.

Investitorët më të mëdhenj
Të dhënat e anketës tregojnë se vitin e kaluar, investimet totale nga ndërmarrjet në ekonominë shqiptare ishin rreth 1.5 miliardë dollarë. Por 64 për qind e këtyre investimeve erdhën nga 864 korporatat e mëdha. Kjo do të thotë se 1 për qind e ndërmarrjeve kanë investuar vitin e kaluar gati 10 për qind të Prodhimit Kombëtar.

Krahas dominimit absolut të investimeve, ndërmarrjet e mëdha kanë një peshë të madhe edhe në punësim. Sipas anketës, vitin e kaluar, në 864 korporatat më të mëdha të vendit kanë qenë të punësuar mbi 150 mijë punonjësve. Kjo do të thotë se 1 për qind e biznes eve punësojnë gati 40 për qind të totalit të punonjësve jashtë administratës publike.
Tendencë globale
Dominimi ekonomik i korporatave është një tendencë globale. Një raport i Bankës Botërore në vitin 2009 gjeti se ndër 100 entitetet ekonomike më të mëdha të botës, 53 janë shtete, 35 të tjerë janë qytete dhe 13 janë korporata private. (Lista e 100 superfiqive http://siteresources.worldbank.org/INTUWM/Resources/WorldsTop100Economies.pdf)

Disa gjëra vetëm rriten. Për nga madhësia bizneset tani konkurrojnë me shtetet. Sipas Bankës Botërore, xhiroja e Royal Dutch është më e madhe se gjithë ekonomia e Egjiptit. Ndërsa të ardhurat e British Petroleum janë më të mëdha se sa Prodhimi Kombëtar i Suedisë apo Zvicrës