Pas takimit që pati me secilin prej tyre; Kryeministrin Edi Rama, kryeparlamentarin Ilir Meta dhe kryeopozitarin Lulzim Basha, deputeti i Parlamentit Europian Knut Fleckenstein ka dalë në një konferencë shtypi për të bërë të ditur negociatat e reformës në drejtësi.
Raportuesi për Shqipërinë në PE u shpreh se Partia Demokratike nuk e diskuton dhe as nuk e vendos në pikëpyetje pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve në procesin e vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët. Por, shtoi Fleckenstein, opozita e ka problemin në mënyrën se si do të përfshihet Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit(OMN) në veting.
Siç është bërë e ditur, mazhoranca kërkon që ndërkombëtarët të kenë vendimmarrje në procesin e vetingut, ndërsa opozita kërkon që të huajt të mbikëqyrin këtë proces sipas Venecias, por mos të kenë vendimmarrje me argumentin që në rast se procesi dështon, atëherë ata nuk mbajnë përgjegjësi për faktin se nuk janë shtetas shqiptarë.
“Duhet kompromis i minutës së fundit. Nuk mora asnjë garanci nga takimet e sotme. Pjesëmarrja e të huajve duhet sipas Komisionit të Venecias. Propozimi është i pranuar nga SHBA, Brukseli dhe Berlini. Ndoshta të tre e kanë gabim. Të shikojmë çdo prodhojë takimi i sotëm”, ka thënë ndër të tjera Knut Fleckenstein.
Eurodeputeti Fleckenstein falenderoi kryeparlamentarin Meta dhe shprehu mbështetjen ndaj tij për përpjekjet që bën për dialog mes palëve. Tashmë është konfirmuar se sot në orën 16:00 do të takohen në Kuvend Kryeministri Rama, kryeparlamentari Meta, kreu i demokratëve Lulzim Basha dhe dy ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin