Policia e Fierit ka bërë me dije se, banesa e autorit të krimit të ndodhur në Greçall, ku Mateo, 8 vjeçar u vra dhe u gropos,  është djegur.

Në njoftimin zyrtar efektivët blu theksojnë se punohet për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit.

Klodian Çalamani, më 18 nëntor u dënua me masën e sigurisë “arrest me burg”.

Çfarë ndodhi në Fier?

Sipas raportimeve nëpër media, ashtu si çdo ditë, 8-vjeçari ishte nisur për në shkollë. I mituri ndiqte klasën e dytë. Ai nuk kishte shkuar në shkollë, ndërsa ishte parë në lagje teksa shëtiste me biçikletë.

Ka qenë nëna e djalit që dha alarmin në lagje se i mituri nuk kishte shkuar në shkollë dhe as në shtëpi.

Pasi kontrolluan në lagje, ajo bashkë me bashkëshortin bënë denoncimin në polici.

Pas vëzhgimit të disa kamerave të sigurisë në lagje, prindërit vunë re se 8-vjeçari kishte hyrë në banesën e Çalamanit, me biçikletën e këtij të fundit.

Më pas, policia zbarkoi në banesën e 38-vjeçarit. Ky i fundit, pasi u mor në pyetje në Polici, pranoi edhe autorësinë e krimit makabër.

Vrasësi ka qenë i arrestuar për pengmarrjen e një vajze në vitin 2012, por nuk dihet sesi ka mundur të përfitojë nga drejtësia.

Ai deklaroi se e kishte qëlluar 8-vjeçarin me lopatë pasi e kishte sharë. Më pas autori i krimit e kishte groposur atë në oborr.