Frrok Çupi/

Në rrjetin botëror të informacionit ka shpërthyer një ironi famoze, si lajm, mbi vitin 2017.

Lajmi thotë se “viti 2017 do të shënojë fundin e botës- Horrifike!”. Pas kësaj, në gjithë botën po zbulohen tre kategori njerëzore për nga mënyra si e përjetojnë lajmin.

Kategoria e parë, ata me mendje të pazhvilluar, që e marrin si të vërtetë ose si jo të vërtetë, por e konsiderojnë lajmin siç është përhapur: Si fund i botës. Në këtë kategori hyjnë në radhë të parë militantët e verbër e të shurdhër (militantë partie a qeverie, militantë terrori apo idiotësie- ç’rëndësi ka!). Këtu te ne kjo kategori do të shante burimin e lajmit me fjalët më kafshërore, duke nxjerrë  zeherin se “na prishët klimën e qeverisë sonë”. Janë qindra militantë që paguhen nga fondet publike vetëm për të sharë kundërshtarët në rrjet… Ja, këta janë të pazhvilluarit.

Kategoria e dytë, ata që e kuptojnë se kjo është një ironi e rafinuar.

Këta, sigurisht- duket se kanë një mendje normale për epokën që jetojmë, një epokë e përparuar. Po ta lexosh lajmin më poshtë, thotë se nga “katastrofa e rruzullit” do të shpëtojnë vetëm “elitat politike”, domethënë qeveritë e deritanishme… Si do të shpëtojnë?- pyetet një nga krijuesit e ironisë. “Duke ndërtuar tunele dhe bunkerë!”, është përgjigjja e kompanisë “Vivos” që ka marr përsipër të kujdeset për të mbijetuarit(!). Kategoria e zhvilluar e njerëzve që e kuptojnë ironinë si ironi, janë ata që prej kohësh po kuptojnë se “elitat politike”, ato që e sollën botën në këtë gjendje të keqe, në vitin 2017 do të ndahen nga popujt e tyre. Ironia e gjetur është “tuneli”.

Në vendet e Bashkimit Europian po bëhet ndarja, pas gati një shekulli, me banalitetin e politikave të dështuara. Idetë falimentuese të globalizmit dhe multikulturalizmit bënë rrugë dhe mbërritën askund. Kudo ka krizë. Ata liderë dhelparak që kuptuan se sa më parë “në bunker”, e bënë para fillimit të 2017; të tjerët kanë mbetur si “Don Kishotë”. Vetëm kryeministri i Britanisë, Cameron dhe kryeministri i Italisë, Renzi, me sa duket, kuptuan. Të dy, në “bunkerin” e tyre tani shfaqen duke bërë pazarin për familjen. Kaq. Ekspertët financiarë të zemrës së Europës po thonë se Italia del shpejt nga BE, financat i janë rrënuar; ndërsa Anglia doli e para. BE këtë vit nuk e di fatin e vet. Presidenti francez, për vitin e ri, tha fjalë për të gajasur… Është zhvleftësuar elita, nuk ka lidhje me popullin. Elitat i lanë popujt pa kufij të sigurt, madje të shpartalluar, saqë një “tip” terroristi vjen nga Pakistani, vret 12 në Berlin, dhe niset me makinë nëpër Gjermani, nëpër Francë e diku kapet rastësisht në Itali… Por më parë, në Itali kishte djegur një qendër paraburgimi…  Kjo është meritë e elitës që mbrojnë ata njerëz me mendje të pazhvilluar. Këta nuk e kuptojnë ironinë e “ndarjes nga elitat” që, sipas idesë së proklamuar të presidentit Trump,- krijuan “moçalin” e botës.

Kategoria e tretë, sipas kuptimit të lajmit “ironik”, është ajo që shkon një hap më tej.

Këta njerëz e kuptojnë ironinë edhe si një ndarje epokash- siç edhe është mesazhi i thellë i saj. Këtu, në fund të vitit 2016 dhe në fillim të vitit 2017, u ndanë epokat. Ja kjo është alegoria e “përmbysjes së botës”, dmth., ndërron epoka, ajo që ishte nuk do të jetë!

Ravijëzimet e reja të Globit kanë pamjen e mohimit të asaj që ishte keq dhe të konfigurimit të epokës tjetër. Cilat po lihen pas?

Në Francë: Presidenti më pak popullor që nga Lufta e Dytë Botërore, Holande, do të ishte qesharake po të kandidonte. “Franca do pavarësi!”, tha dje Marine Le Pen.

Në Amerikë: Presidenti Obama, i konsideruar si  “më i keqi pas Jimy Carter”. Eliminimi i klimës së tij negative kërkon kohë dhe energji nga administrata e re.

Në Turqi: Grushti i stisur i shtetit nuk solli asgjë të mirë, përveç terrorit dhe pasigurisë. Apologjetët e presidentit kanë hapur fushatën e kobshme se “vetëm Erdogan sulltan mund të zgjidhë punë”.

Lindja e Mesme: Ideja e “elitës” Obama për “pranverë Arabe” në vend të “demokracisë Islamike” shkaktoi trauma të rënda, miliona jetë, miliarda pasuri, thellësisht pasiguri, atak mbi vendet e Europës.

Në vendet e Ballkan: Varfërim ekstrem, në Greqi, Shqipëri, Maqedoni, Serbi e Bosnjë. Në Shqipëri pyetësorët e publikuar tregojnë se në vitin 2016 vetëm 9 për qind e njerëzve thonë se nuk kanë pësuar gjë, 1 për qind janë më të pasur dhe 90 për qind më të varfëruar.

… Mes gjithë lajmeve të botës, ironia qenka më e koncentruara për të dëshmuar realitetin. Këtu ndahen epokat, viti 2017 nuk është vetëm një vit i ri dhe kaq.

/Veritas.com.al/