Disa rrugë të kryeqytetit do të bllokohen gjatë ardhjes dhe deri më largimin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Në aeroport do të vendosen forcat speciale kombëtare që do të ndjekin makinat e shtetërore dhe të Blinken. Masat do të shtohen duke filluar nga aeroporti i Rinasit, shoqërimi drejt Tiranës në vendet ku do të zhvillohen takimet, akomodimi dhe shoqërimi drejt Rinasit, në përfundim të vizitës.
Pritet që të ketë bllokim nga Rinasi – Qafa e Kashari- Mbikalimi tek Casa Italia – nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”.
Rrugë të tjera që pritet të bllokohen nga policia janë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova”.
Rreth 1 mijë e 500 efektivë do të angazhohen në total për mbarëvajtjen e masave të sigurisë gjatë vizitës së Blinken, nga ku rreth 400 efektivë do të jenë të Gardës dhe pjesa tjetër nga policia e shtetit, rendi, një grup i Shqiponjave, një i FNSH (400) e një i RENEA (100) do të angazhohen për të gjitha aktivitetet, që nga mbërritja në Rinas deri te shoqërimi në ambientet e kryeministrisë. Edhe Antiterrori do të jetë i angazhuar.
Masat e ndërmarra dhe kufizimet para dhe gjatë vizitës janë si vijon:
Ndalim parkimi:
Duke filluar nga ora 19:30 e datës 14.02.2024 deri në orën 20.00 të datës 15.02.2024, në rrugët “Faik Konica”, “Dervish Hima”, “Ismail Qemali” (para Kryesisë së Kuvendit), “Gjergj Filipi”, “Lek Dukagjini”, Rruga e Elbasanit, “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Bajram Curri”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, si dhe rruga “Ukraina e Lirë” (Gjykata Kushtetuese), do të ndalohet parkimi i mjeteve në rrugë dhe në hapësirat e caktuara për parkim.
Ndalim qarkullimi:
Në fashat orare 09:30-12.30 dhe 17:30-20.00, të datës 15.02.2024, do të ndalohet qarkullimi në rrugët si më poshtë:
1. Interurbane dytësore Fushë Prezë-Rinas;
2. Interurbane dytësore Rinas-Qafë Kashar dhe anasjelltas;
3. Interurbane kryesore Qafë Kashar – ish-sheshi Shqiponja dhe anasjelltas;
4. Interurbane kryesore ish-sheshi Shqiponja-Teg-Sanatorium dhe anasjelltas;
5. Rruga e Elbasanit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Faik Konica”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Themistokli Germenji”, rruga “Abdyl Frashëri”, rruga “Ukraina e Lirë”, rruga “Gjergj Filipi”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe bulevardi “Bajram Curri”.
Rrugë alternative
Qytetarët që duan të shkojnë në aeroportin “Nënë Tereza”, më datë 15.02.2024, nga Durrësi dhe veriu, do të ndjekin përkatësisht drejtimin Vorë-Fushë Prezë-Rinas dhe kthim, Fushë Krujë-Fushë Prezë-Rinas dhe kthim. Ndërsa nga juglindja dhe Tirana, do të ndjekin unazën lindore-Farmacia 10-Stacioni i Trenit-Bulevardi i Ri-Paskuqan-Kamëz -Valias-Aeroporti i Rinasit, dhe kthimi në të njejtin itenerar.
Për emergjencat mjekësore që mund të afektohen në oraret e bllokimet, të ndiqen rrugët dytësore dhe të tjera, në drejtim të spitaleve perkatëse, të ndryshme nga ato që do të përshkohen nga delegacioni amerikan.
Policia e Shtetit kërkon mirekuptimin e të gjithë qytetarëve për masat e sigurisë dhe apelon për të shmangur qarkullimin me mjete rrugore në oraret dhe rrugët ku parashikohen kufizimet e levizjes, për qëllime sigurie.