Letërnjoftimet elektronike që skadonin këtë vit do të kenë vlefshmëri deri në 31 dhjetor 2019. Lajmin e bënë të ditur Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj gjatë një vizite në zyrat e reja të kompanisë së prodhimit të kartave në në Rrugën “Bardhyl”, të cilat u vijnë në ndihmë 120 mijë banorëve të Njësive 3 dhe 4. Ata nënvizuan zgjatjen e vlefshmërisë edhe të ofrimit të shërbimeve për aplikimet e reja edhe ditën e shtunë e të diele.

Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe kompaninë Aleat, kanë nisur punën për hapjen e zyrave të reja në të gjithë qytetin, ku qytetarët mund të aplikojnë për rinovimin kartave të identitetit.

“Kemi filluar një proces që do të zgjasë gjatë gjithë kësaj jave, për hapjen e zyrave shtesë, në bashkëpunim me kompaninë që prodhon kartat e identitetit në gjithë Tiranën. Kjo e trefishon, në disa raste e katërfishon, kapacitetin tonë për të emetuar kartat dhe unë besoj se standardi që vendos Tirana, do të jetë një standard që do të ndiqet edhe nga bashkitë e tjera. Bashkë me kompaninë dhe me autoritetet vendore do të vazhdojmë punën dhe të shtunën, të dielën, dhe me orare të zgjatura”, tha Veliaj.

Për të ulur fluksin e qytetarëve të cilët aplikojnë për letërnjoftime elektronike, është vendosur zgjatja e afatit të vlefshmërisë për të gjitha kartat që skadojnë në 2019. Afati i tyre do të zgjatet deri më 31 dhjetor 2019. “Do të kemi amendime ligjore, që pavarësisht nga data kur skadon karta në vitin 2019, skadimi final do të jetë 31 dhjetori i 2019-ës. Do të thotë se për të gjithë ata që nuk e kanë me ngut, të cilëve karta u duhet për një a dy herë, si rasti i votimeve apo një dokument tjetër brenda vendit, vlefshmëria do të zgjatet deri në datën 31 dhjetor 2019. Ky është një lajm i shkëlqyer për të ulur pak këtë presion dhe për ta shfrytëzuar gjithë vitin”, nënvizoi ai, teksa kërkoi dhe bashkëpunimin e qytetarëve në mënyrë që prioritet në aplikim të kenë fillimisht të moshuarit apo ata qytetarë të cilët do të duhet të udhëtojnë jashtë shtetit.

“T’i japim prioritet të moshuarve dhe atyre që mund ta kenë shumë të nevojshme pasjen e kartës së identitetit për udhëtime jashtë vendit ose për dokumente të tjera. Përsa i përket nevojave brenda Shqipërisë, vlefshmëria e kartës, pavarësisht datës do të jetë deri në 31 dhjetor 2019. Kështu që, qoftë për votimet, apo edhe për nevoja të tjera, pensionet, apo çështje që kanë të bëjnë me autoritetet vendore apo qendrore të Shqipërisë, vlefshmëria është deri në 31 dhjetor”, tha Veliaj. Hapja e zyrave të reja për prodhimin e letërnjoftimeve elektronike do të vijojë edhe në njësitë e tjera, ku do të jenë të instaluara edhe sistemet e gjendjes civile.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj siguroi qytetarët se me kapacitetet e shtuara nuk do të kenë asnjë pengesë në marrjen në kohë të shërbimit të kërkuar. “Është rezultat i një pune intensive që është bërë ditët e fundit, për të rritur kapacitetet e prodhimit për kartat e identitetit edhe në prag të zgjedhjeve, por edhe për të përballuar fluksin e madh i cili lidhet me skadimin e një numri shumë të madh kartash, të cilat janë prodhuar pothuajse në të njëjtën kohë në vitin 2009. Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Brendshme kanë ndërmarrë masa për të zgjeruar kapacitetet dhe për të përmirësuar kushtet e aplikimit”, nënvizoi Lleshaj.

Ministri tha se modeli i suksesshëm që po aplikohet në Tiranë do të shtrihet edhe në qytetet e tjera të vendit, ku do të hapen zyrat e reja të aplikimit. “Kemi ardhur këtu edhe për të dhënë një mesazh, për të dhënë edhe një model se si duhet të shndërrohen zyrat e aplikimit në gjithë vendin, të cilat duhet të marrin këtë trajtë ose edhe më mirë. Po e fillojmë nga Tirana me shpresën se Tirana do të përbëjë modelin e duhur për t’u ndjekur nga qytetarët. Përveçse shtimit të kapaciteteve dhe përmirësimit të kushteve, qeveria shqiptare do të ndërmarrë masa edhe për të zgjatur vlefshmërinë e kartave të identitetit që skadojnë në vitin 2019. Pra, dua të krijojmë një mundësi që asnjë qytetar shqiptar të mos ngelet qoftë edhe për një arsye të vetme pa realizuar të drejtën e votimit për shkak të kartës”, tha Lleshaj.

Veritas.com.al/