Nga momenti i vrasjes brenda burgut të sigurisë së lartë të Peqinit e deri më tani Sokol Mjacaj, 28-vjeçari i dënuar përjetë për vrasjen e 2 turistëve çek në zonën e Dukagjinit në vitin 2015, mbahet në një vend sekret. Aty, hetuesit po e pyesin përse vrau në qeli Arben Lleshin, të dënuar përjetë për vrasjen në 2013-ën në Angli, të Agim Hoxhës, të cilin e dogji të gjallë brenda në makinë.

Mjacaj tenton ta quajë të gjithë një konflikt të çastit, duke e motivuar vrasjen me faktin që Arben Lleshi nuk e kishte pranuar në sektor. Por hetuesit dyshojnë përtej këtij skenari. Gjasat janë për një vrasje me pagesë, dhe pyetja e gjatë e Mjacajt është orientuar në këtë drejtim: Në zbulimin e porositësve, e emrave që e donin të vdekur të dënuarin Lleshi.  Pista kryesore, është hakmarrja e dyshuar ndaj Lleshit, për vrasjen e bashkëkombësit në Angli, e mbi këtë dyshim janë shoqëruar disa familjarë të shqiptarit të djegur Agim Hoxha, të cilët janë liruar pas marrjes në pyetje. Efektivët kanë bastisur edhe shtëpinë e Sokol Mjacajt në Dukagjin për të shkuar në gjurmët e provave që mund t’i vlejnë hetimit.

Misteri i dytë që hetuesit kërkojnë të zbërthejnë, është se ku e gjeti armën pistoletë brenda burgut të Peqinit, i dënuari me burg përjetë. Sokol Mjacaja ka hedhur poshtë në dëshmi teorinë e marrjes së armës përmes dronit, dhe ka thënë se e ka marrë dorazi, por pa treguar emrin e personit që ia ka sjellë brenda burgut. Thotë se nuk e mban mend ditën e saktë se kur e ka pasur armën e ndaluar në qeli, por përafërsisht thotë para 20 ditësh apo një muaji.

Prokuroria e Elbasanit që po heton vrasjen, dyshon se në këtë ngjarje të rëndë janë përfshirë edhe punonjës të burgut. Një pjesë e kamerave të sigurisë brenda institucionit të vuajtjes së dënimit në Peqin nuk punonin. E po ashtu edhe skaneri prej kohësh nuk ka punuar por është rregulluar ditët e fundit.

12 persona nga stafi i burgut janë ndaluar me urdhër të prokurorisë, për “Shpërdorimin të detyrës”, nga drejtori i burgut të Peqinit, Kamber Hoxha dhe gjithë zinxhiri komandues; shefi i policisë së burgut, bashkë me ish-shefin i policisë së burgut, shefi i regjimit në burg, specialisti i informacionit në sallën operative të burgut, 3 policë shërbimi dhe 4 policië të burgut.

Sokol Mjacaj doli nga qelia e tij dhe i është afruar dritares së qelisë së Arben Lleshit të cilin pasi e ka thirrur në emër, e ka qëlluar. 3 plumba i morën jetën të dënuarit, ndërsa i plagosur aksidentalisht me një plumb në këmbë mbeti edhe shoku i tij i qelisë Indrit Shaqja, i cili po merr trajtim në spitalin e burgut në Tiranë.  Edhe ai vuan dënimin me burg përjetë për vrasjen e 2 kunatave të moshuara të cilat i torturoi në vitin 2014 në Durrës pasi iu fut në shtëpi për të vjedhur.

Me armën e krimit në dorë Sokol Mjacaj, është neutralizuar rreth një orë pas ngjarjes me ndërhyrjen dhe negociatat e forcave RENEA, pasi iu garantua se nuk do i cenohej jeta. Hodhi armën dhe me një palë pranga lidhi veten në kangjellat e qelisë dhe priti arrestimin.

Në burgun e  Peqinit u mblodhën drejtuesit më të lartë të burgjeve, policisë së shtetit e prokurorisë, përfshirë ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, i cili tha se për Sokol Mjacajn, para krimit brenda burgut, kishte firmosur futjen e tij në izolim në regjimin 41 bis, pa saktësuar se për cilat arsye.

Pas vrasjes në qelinë e burgut të sigurisë së lartë, niveli i gatishmërisë është rritur në të gjithë sistemin e burgjeve dhe kontrolle të imtësishme kanë nisur nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm për sende të paligjshme që të dënuarit mund të kenë arritur të fusin në qeli.

Kur ishte vetëm 20 vjeç Sokol Mjacaj  vrau në makinën e tyre 2 turistë çek pasi i grabiti. Sot, 28 vjeç, i dënuar ,e burg përjetë, ai do të përballet edhe me 3 akuza të reja vrasje, armëmbajtje pa leje dhe futje e sendeve të ndaluara në burg.

 12 të ndaluar për “shpërdorim detyre” janë
-Drejtori i burgut, Kamber Hoxha 59 vjeç
-Shefi i policisë së burgut Qani Muç, 60 vjeç
-Ish-shefi i policisë së burgut Nikolin Gjonpali, 54 vjeç
-Shefi i regjimit në burg Vilson Shima, 37 vjeç
-Specialisti i informacionit në sallën operative të burgut Arben Dulellari, 52 vjeç
-3 policë shërbimi Ilir Balla, 46 vjeç, Florene Mile, 43 vjeç, Fatos Pire, 50 vjeç,
-4 policë të burgut Genci Muça, 49 vjeç, Klement Haka, 44 vjeç, Erjon Çila, 36 vjeç, Indrit Dubali, 41 vjeç