Gjykata e Tiranës të premten e 11 shkurtit ka dhënë vendimin për ish-truprojën e Sali Berishës, Izet Haxhia, i cili akuzohet për vrasjen e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari.
Gjykata e ka dënuar Haxhinë me 21 vite burg – për akuzën “vrasje me paramendim” – të cilat do t’i vuajë në burg të sigurisë normale.
Më 6 janar të po këtij viti, Prokuroria e Tiranës kërkoi dënimin me 25 vite burg.
Sipas këtij institucioni të drejtësisë, Haxhia ka pasur rol kryesor në vrasjen e Hajdarit më 12 shtator 1998.
Prokuroria e ka rindërtuar skemën e krimit, ku vetëm pak metra larg selisë së Partisë Demokratike u qëllua për vdekje ish-deputeti i kësaj partie.
Në arsyetimin e saj, ajo ka shprehur bindjen se Haxhia është fajtor.
Haxhia po gjykohet për herë të dytë në Shqipëri.
Ai fitoi të drejtën e rigjykimit dhe shpesh ka pretenduar se nuk ka pasur lidhje me atentatin, edhe pse u dënua si bashkëpunëtor.
Izet Haxhia fitoi azil politik në Turqi, por u ekstradua nga atje në momentin që u rihap edhe njëherë procesi gjyqësor.
Tashmë, ai ka dy vite që po përballet me seancat gjyqësore.
Ish-truproja i Berishës u arrestua në 2006-ën në Turqi, por për 12 vite me radhë Gjykata atje kishte urdhëruar që ai të mos largohej jashtë vendit.
Do të ishte shkurti i vitit 2018, kur u dha lajmi se ai do të ekstradohej drejt Shqipërisë.
Haxhia ka kërkuar që të përballej me dëshmitarët, mes tyre ish-kryeministrin Sali Berisha, por Gjykata e Tiranës e ka rrëzuar këtë kërkesë.
Për ngjarjen janë dënuar edhe dy vëllezërit e Haxhisë, Ismet e Isamedin Haxhia.
Të dy e kanë shlyer dënimin e marrë.
Vrasja e Azem Hajdarit
Më 12 shtator, në Tiranë do të mbërrinte Fatmir Haklaj – i akuzuari kryesor për vdekjen e Azem Hajdarit.
Ai ishte i shoqëruar nga shefi i rendit, Jaho Mulosmani dhe Naim Çangu.
Gjatë ditës, Haklaj u takua me Izet Haxhinë – detaj që do t’i jepte shkas Prokurorisë ta dënonte atë për përfshirje në vrasje.
Nga ana tjetër, Hajdari ndodhej në Fier atë ditë ku po zhvillonte një miting.
Më pas, ai u ndal në Lushnjë dhe nga pasditja mbërriti në Tiranë.
Gjatë kohës që ishte në Fier dhe Lushnjë – pretendohet se – ai ka marrë disa telefonata që i kërkonin të kthehej në Tiranë.
Hajdari shkon në selinë blu dhe në orën 21:00 aty afrohet një mjet me pasagjerë, Fatmir Haklaj, Naim Çangu dhe Jaho Mulosmani.
Vetura kishte fenerët e policisë.
Vetëm 10 minuta më pas, Hajdari del nga selia dhe i drejtohet mjetit.
Është aluduar se, para se të dilte, ai kishte folur në telefon me dikë që i kishte kërkuar të dilte.
Motra e Fatmirit, Zylfie Haklaj, ka dëshmuar se “Sali Berisha mund ta ketë nxjerrë në pritë Azemin”.
Berisha në atë ditë ka qenë i pranishëm në seli – por ende nuk dihet nëse ai ka pasur informacion për ardhjen e Haklajt.
Ky i fundit do të qëllohej pas një viti në një atentat në Tropojë.