Eldi Dizdari, një nga personat e përfshirë në vrasjen e 4 tetorit në ish-Bllok në vitin 2018 është arrestuar pas 2 vitesh.
Ai ka rënë në pranga në Dubai gjatë një operacioni ndërkombëtar antidrogë. Eldi Dizdari ka qenë shok i Ervin Matës dhe më 4 tetor të 2018 ndodhi dhe përplasja në ish- Bllok ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha si dhe u plagosën Ervis Martinaj dhe Eljo Hato.
Dizdari dyshohet për përfshirje në trafikun e kokainës. Ai është bashkëshort i ish-missit shqiptar të njohur Suada Sherifi.
Ai është kapur gjatë operacionit ndërkombëtar të iniciuar fillimisht nga Italia, por që ka pasur bashkëpunim me Shqipërinë e Holandën.
Pikërisht një kartel shqiptar i trafikut ndërkombëtar të drogës u shkatërrua në Firence të Italisë, dhe duket se një prej drejtuesve apo bashkëpuntorëve ka qenë Eldi Dizdari, që fshihej në Dubai pasi ishte në kërkim nga shteti shqiptar.
Reagimi nga Dubai:
Policia e Dubait ka reaguar në lidhje me arrestimin e Eldi Dizdarit, i cili akuzohet si person i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës midis Amerikës së Jugut dhe Evropës. Policia e Dubait thekson se Denis Matoshi alias Eldi Dizdari kërkohej nga autoritetet italiane, ndërsa u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Los Blancos”.
Dizdari konsiderohet nga policia e Dubait si një udhëheqës i bandës shqipfolëse “Kompania Bello”, e cila thuhet se është përfshirë në trafikimin e drogës midis Amerikës së Jugut dhe Evropës, ku vlera e të ardhurave ka qenë 350 milionë euro.
VERITAS.COM.AL