Dedan Gjoni, ish-shefi i Krimeve të Komisariatit nr. 6 në Tiranë, është përfshirë në një tjetër ngjarje kriminale, por që ka mbetur në tentativë. Hetuesit kanë mësuar se personi që do të ekzekutohej është Xhevdet Plaku, i njohur edhe si “Akili” që drejton një grup kriminal në fushën e trafikut të drogës me bazë në Holandë.

I arrestuari, mëngjesin e kësaj të premteje në Sukth, Kep Rapi, dhe ish-shefi i komisariatit nr.6 në Tiranë, dyshohet se kanë bashkëpunuar për tentativën e vrasjes së Plakut si një hakmarrje, pasi ky i fundit ishte një prej të akuzuarve për vrasjen e Sali Rapit, të ndodhur në 2014, në Itali.

Gjykata e Savonës shpalli të pafajshëm Besnik Plakun dhe Xhevdet Plakun, të cilët akuzoheshin për vrasjen. Sali Rapi u vra me dy plumba pistolete, ndërsa arma nuk u gjet kurrë. Sipas autoriteteve italiane, Xhevdet Plaku njihet edhe si kreu i një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës, të cilën e drejtonte nga Amsterdami dhe pakove iu vinte emra sipas cilësisë së mallit që kishte brenda.

Në nëntor të vitit 2018 u arrestua në Holandë së bashku me 56 persona të tjerë, anëtarë të tre bandave të tjera, por që ishin të lidhura së bashku dhe që shef kishin Xhevdet Plakun. Gjatë kohës që Gjoni ka qenë me detyrë më Komisariatin e Shijakut, ka rezultuar se ish-efektivi ka thirrur në komisariat objektivin Xhevdet Plaku, u ka thënë autorëve që çfarë ore do e lironte si dhe u ka nisur foto të tij. Autorët më pas janë tërhequr dhe krimi nuk ndodhi. Në kuadër të operacionit në pranga ra dhe një ish-efektiv policie, por edhe një pjesëtar tjetër i fisit Rapi.

Prangosja e ish-efektivit të policisë u përshëndet dhe nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili tha se deri më tani 339 punonjës policie janë arrestuar e proceduar. Sipas Ballës, këto operacione dhe këto rezultate janë vetëm fillimi i vendosmërisë për të vijuar me luftën frontale kundër krimit të organizuar dhe vetëpastrimin e radhëve të Policisë së Shtetit nga ata elementë të cilët e dëmtojnë atë.