4000 vepra arti të vjedhura janë zbuluar në një banesë në Tiranë në rrugën ‘Shyqyri Brari’, ndërsa në pranga përfundoi Artan Koçiu, i arrestuar edhe më parë në 2013 po për trafik të ikonave. Report Tv siguron foto ekskluzive të  ikonave, veshjeve, armëve dhe relikeve të dyshuara të vjedhura.

Veprat e artit janë të karakterit fetar dhe kapnin vlerën 8 milionë euro, ndërsa dyshohet se ato janë të vjedhura në kisha në Shqipëri, Greqi dhe Maqedoni. 61 vjeçari Artan Koçiu, banues në Tiranë është arrestuar më parë edhe në 2013 gjatë operacionit ‘Ikona’ së bashku me Gjergji Thimio, të akuzuar për trafik ikonash. Arrestimi i tij u bë gjatë operacionit “Cultural Heritage”, ku hetimet zgjatën  3 muaj që çuan në sekuestrimin e 4 mijë veprave të artit, ndërsa shtëpinë e tij e kishte kthyer në një galeri të vërtetë me vepra të ndryshme arti. Operacioni u zhvillua nga sektori i trafiqeve në Policinë e Tiranës, ndërsa 61-vjeçari Koçiu do të përballet për veprat penale “Vjedhja e veprave të artit e kulturës”, dhe “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”./ Shqiptarja.com/