Media e njohur Zëri i Amerikës, e cilëson deklarimet e mbrëmshme të ish Ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, si të pabazuar në prova dhe në fakte. Duke iu referuar intervistës së dhënë dje në Syri TV, Zëri i Amerikës shkruan se Ahmetaj foli pa fakte dhe pa prova, por duke u bazuar vetëm në interpretime.

“Pa ofruar fakte apo prova të reja, por kryesisht bazuar në interpretime, ai foli për një prapavijë politike në veprimet e Prokurorisë së Posaçme, e cila sipas tij ka ngritur një çështje mbi supozime. Për herë të parë pranoi miqësinë e ngushtë me Mirel Mërtirin, emrin që sipas Prokurorisë qëndron pas tre impianteve të trajtimit të mbetjeve në Elbasan, Fier e Tiranë”, thekson Zëri i Amerikës.

Ndërkaq, mediat shqiptare e lidhin daljen televizive të Ahmetajt me përpjekjën për të siguruar azil politik dhe për t’i shpëtuar arrestimit. Arben Ahmetaj po hetohet për tre akuza “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, më shumë se një herë.