Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, mëngjesin e 20 janarit, ka dekretuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve të pjesshme lokale.

Ai ka vendosur që zgjedhjet të mbahen më 6 mars të këtij viti.

“Të dashur qytetarë, sapo dekretova caktimin e datës 6 mars 2022, për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie në Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë. Uroj që ky proces të jetë një shembull i besimit te demokracia dhe vota e lirë”, shkruan Meta në postimin e tij në median sociale Facebook.

Vendimi erdhi pasi presidenti mori edhe pëlqimin e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi.

Si fillim ai kishte propozuar dy data për mbajtjen e zgjedhjeve, atë të 27 shkurtit dhe 6 marsit.

Mesditën e djeshme Meta u konsultua edhe me kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Letër Kryeministrisë

Disa ditë më parë, presidenti i ka dërguar një shkresë zyrtare, Kryeministrisë, me anë të së cilës i ka kërkuar informacion mbi numrin e Bashkive të mbetura pa kryetar.

“Kush janë saktësisht ato njësi vendore në të cilat përgjatë kësaj periudhë 30 qershor 2019-janar 2022, sipas informacionit dhe vlerësimit tuaj Kryetarëve të Bashkisë u ka përfunduar mandati në mënyrë të parakohshme”, nënvizon Presidenca.

Ndër të tjera, kërkohet edhe shkaku ligjor dhe akti përmes të cilit është realizuar përfundimi i parakohshëm i mandatit të tyre.

KQZ

KQZ-ja, përmes një shkrese zyrtare, i ktheu më herët përgjigje presidentit Meta, sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Meta kishte kërkuar informacion nga KQZ-ja në lidhje me vakancat në pozicionet e kryetarëve të Bashkive.

Në përgjigje, KQZ shkruan se, Bashkitë pa kryetar janë Vora, Dibra dhe Shkodra, ndërsa nënvizon se, nuk ka dijeni për Lushnjën, Rrogozhinën dhe Durrësin, pasi duheshin informuar nga Këshilli i Ministrave.

Bashkitë që kanë mbetur pa kryetar janë ato të Shkodrës, Vorës, Durrës, Rrogozhinës, Dibrës dhe Lushnjës.

Aktualisht, Vora, Durrësi, Rrogozhina dhe Dibra drejtohen nga kryetar të emëruar dhe jo të zgjedhur.

Ndërsa Voltana Ademi në Shkodër vijon të mbajë mandatin përtej afateve. /Albanianpost.com/