Nga Thomas Durand/

 Tim Kaine, i moderuari, do të përballet me Mike Pence, ultra-konservatorin. Kemi rastin të mësojmë më në fund se përse i kanë zgjedhur.

John Adams, i cili në 1789 qe i pari zëvendës-president në historinë e SHBA-së, e cilësonte postin si “më të padobishmin që ka krijuar ndonjëherë shpikja njerëzore”! Ai e ekzagjeronte pak!

“ZP” zëvendëson presidentin në rast fatkeqësie.

Kjo ndodh rrallë, por nuk është hiç. Ai luan një rol të rëndësishëm si hallkë lidhëse midis Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit. Por ai shërben edhe (sidomos?) për t’i shtuar vota kandidatit për postin e lartë, duke i sjellë atë pak gjë që atij vetë i mungon.

Këtu qëndron i gjithë interesimi për debatin që do të zhvillohet në 4 tetor. Çfarë mund t’u sjellin Kaine demokrati dhe Pence republikani dy kandidatëve që kanë probleme edhe me elektoratin e tyre tradicional?

 

I kujdesshmi Kaine

 

Edhe Tim Kaine ishte fare i panjohur nga publiku i gjerë përpara se të përzgjidhej si zëvendës i Hillary Clinton.

Ai ka pamjen e “djalit të mirë” nga Virxhinia, dhe ndonëse e përshkruajnë shpesh si pragmatik (i ngjashëm, fundja, me kandidaten), kundërshtarët e tij e kanë të vështirë t’i gjejnë ndonjë të metë.

 

Fakt është, megjithatë, që kjo zgjedhje ka befasuar.

 

Kaine, më shumë centrist, nuk ka asnjë lidhje me linjën e Bernie Sanders. Por vëzhguesit prisnin që Hillary të tentonte të joshte zgjedhësit e këtij të fundit, që priren të abstenojnë, me gjithë thirrjet e hapura të kampionit të tyre për t’u rreshtuar me kandidaten fituese në zgjedhjet brenda partisë.

E qartë që Kaine nuk do t’i kërkojë zgjedhësit përtej asaj çka bën vetë Hillary.

Nëse zgjedhja e tij nuk ka çliruar ndonjë vrull entusiazmi, ajo respekton gjithësesi rregullin numër një të përzgjedhjes së “ZP”: “Para së gjithash të mos dëmtojë”.

Tim Kaine, katolik që është shkolluar te jezuitët, i sjell gjithësesi demokrates një përkujdesje fetare e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. E kundërta e Sandersit, ai mund të sigurojë republikanët e pavendosur përpara kapriçove të kandidatit zyrtar të Partisë së Madhe Plakë.

 

Kaine deklarohet, për shembull, pro “abortit që kryhet me pëlqimin e prindërve” apo edhe për “thjesht në rast rreziku për nënën”. Një pozicion që në Shtetet e Bashkuara merret si as mish as peshk: nuk kënaq anti-abortistët, por shihet si konservator në kampin demokrat. Për të luftuar kundër abortit, i superkujdesshmi Kaine shkon deri aty sa të promovojë abstinencën seksuale tek të rinjtë.

As mish, as peshk- ky është edhe pozicionimi i tij për dënimin  me vdekje. Si katolik, ai prononcohet kundër. Megjithatë, si guvernator, ai është  kujdesur jo vetëm ta heqë në shtetin e tij, por gjatë mandatit të tij nga njëmbëdhjetëtë dënuar  ka falur vetëm një. Për shitjen e armëve, i njëjti kujdes, që dëshmon mungesë koherence: Ai predikon një kontroll më të madh të shitjeve, por edhe ai vete e posedon një. Sa për mjedisin, ai deklarohet për “mbrojtjen” e tij, deklarohet i “prekur” nga batica e oqeanëve. Pozicionime që nuk pijnë ujë: Si guvernator i Virxhinias, ai mbështeti instalimin e platformave të çpimit offshore në rivierën e Virxhinias. Shkurt, ata që e fajsojnë Hillary Clinton se është politikane dhe manovriste, nuk rrezikojnë të binden për të kundërtën nga një zëvendës si ky!

 

Pence, djathtas me gjithsej

 

Nga krahu i Trump-it, u përzgjodh Mike Pence, një konservator tipik. E dëshmojnë këtë të dhënat e grumbulluara nga blog-u fivethirtyeight.

Sipas këtyre të dhënave, Pence është kandidati republikan për zëvendës-president, më konservatori çprej 1976. Duke zgjedhur zëvendësin e tij, miliarderi mund të kish tentuar të zbuste pak imazhin e vet. Ai parapëlqeu të joshë partizanët e Tea Party, vota e të cilës i kishte dëmtuar republikanët gjatë zgjedhjeve të fundit .

 

Si guvernator i Indianas, Mike Pence u bë i njohur për dy gjëra: Ai pezulloi të drejtën për abort edhe në rast keqformimi të fetusit dhe u dha leje tregtarëve të refuzojnë t’u shërbejnë çifteve homoseksuale në emër të bindjeve të tyre fetare. Në 2001, ai shkroi një letër të hapur ku pohonte “se duhani nuk vret”, ai mohon gjithashtu ngrohjen klimatike duke e cilësuar “mit“.

Sigurisht, ai e denoncoi daljen e Donald Trump për mbylljen e kufijve për myslimanët, por këtë e bëri në emër të vlerave të Amerikës, dhe jo sepse ai është pro hapjes ndaj emigracionit; ai u prononcua kësisoj për vënien në diskutim të amendamentit 14 që përcakton të drejtën mbi tokën.

 

Në 4 tetor, do të përballen dy stilet: Konsensuali Tim Kaine përballë tepër të mprehtit Mike Pence. I cili, me letra, ka një avantazh përballë tjetrit: Pence ka punuar për shumë vjet si drejtues në radio e television, pra nuk i trembet këtij ushtrimi.