
Situata e zjarreve mbetet problematike në vendin tonë.
Gjatë orëve të fundit janë evidentuar 21 vatra zjarri, nga të cilat janë shuar 7 vatra zjarri, ndërsa 14 janë aktive.
Aktualisht, janë aktive vatrat në:
* Qarku Vlorë.
Në bashkinë Finiq vazhdon të jetë aktive vatra e zjarrit. Flakët kanë kaluar në fshatin Krane, njësia administrative Mesopotam. Në terren po operojnë: 37 efektivë me 6 automjete zjarrfikëse të bashkive Finiq, Sarandë, Konispol dhe Delvinë, 20 forca policore, 30 forca bashkiake dhe vullnetare, të ndihmuar nga Forcat e Armatosura me 28 efektivë, 4 automjete zjarrfikëse, 1 autoambulancë, 1 autobot, 60 forca ushtarake dhe mbështetje nga ajri. Gjithashtu ka operuar edhe avioni Kroat Canadair.
* Në vendin e quajtur “Rëzom”, në afërsi të Tunelit të Skërficës, te maja e “Lucës”, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pyjore. Për shkak të terrenit të thyer është e vështirë të operohet me mjete nga toka, por në vendngjarje kanë shkuar punonjësit e AdZM.
* Në fshatin Bolenë, njësia administrative Horë-Vranisht, bashkia Himarë. Në terren janë duke operuar forcat e MZSH të bashkisë Himarë dhe Vlorë me 3 automjete zjarrfikëse, 10 efektivë dhe forca vullnetare, të ndihmuar dhe nga 20 forca të FA-së, të cilët kanë vënë zjarrin nën kontroll.
* Në fshatin Lukovë, njësia administrative Lukovë, bashkia Himarë. Në terren po punojnë efektivët e MZSH Himarë me 1 automjet zjarrfikës dhe 3 efektivë, të cilët po punojnë për shuarjen e tij.
* Qarku Lezhë.
Në fshatin Malaj i Epërm, në lagjen “Vjollcë”, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë, ku zjarri është izoluar në sipërfaqe pyjore me pisha, lis dhe shkurre. Vatra e zjarrit është nën kontroll të plotë dhe po punohet me 2 mjete zjarrfikëse, 6 efektivë nga MZSH, 6 forca të pyjores, 5 forca bashkiake dhe 2 forca vullnetare.
* Qarku Dibër.
Malin e Allushit, në afërsi të fshatit Plani Bardhë, bashkia Klos, vatra e zjarrit është nën kontroll dhe po monitorohet nga 6 efektivë të MZSH dhe 1 automjet zjarrfikës.