Është ndarë parakohe nga jeta balerina dhe moderatorja shqiptare Hueyda El Saied. 46-vjeçarja prej kohësh ishte larguar jashtë vendit dhe ka ndërruar jetë si pasojë e një sëmundjeje të rëndë nga e cila vuajti gjatë.

Hueyda ka qenë një personazh shumë i dashur dhe karizmatik për të gjithë shqiptarët. Prej disa vitesh Hyeda jetonte në Luksemburg së bashku me djalin e saj të vogël.

Hueyda El Saied ishte nga ato pak vajza që kishin provuar të bënin gjithçka sa i takon televizionit. Ajo dinte të këndonte, ishte balerinë, moderatore, spikere lajmesh dhe piktore.

Kujtojmë se disa nga programet që ka prezantuar janë: ‘Një këngë për ty’, ‘7 nga shënimet e mia dhe Kioska’ dhe  ‘Në restorant’. Hueyda ka marrë pjesë edhe në festivalet e muzikës shqiptare, ndër ta ‘Top Fest’ dhe ‘Kënga Magjike’.

El Saied lindi në Tiranë në vitin 1975 nga e ëma shqiptare dhe i ati sudanez. Kishte studiuar në Shkollën Artistike Jordan Misja në Tiranë dhe më pas në Universitetin e Tiranës . Ka një diplomë master në bashkëpunim ndërkombëtar, të drejtat e njeriut dhe politika evropiane nga Universiteti i Romës në Itali.

El Saied filloi punë si spikere lajmesh dhe më vonë ajo u transferua në Paris për një karrierë të mëtejshme kërcimi. El Saied ka shkruar gjithashtu disa tregime të shkurtra.

Miqtë e Hueyda El Saied kanë reaguar në rrjete sociale për ndarjen nga jeta të artistes së njohur si pasojë e një sëmundje të rëndë.

Këngëtarja e njohur Irma Libohova ka zbuluar bisedën e fundit me balerinën dhe shprehet se sot është një ditë e trishtë dhe nuk mund ta besojë këtë lajm.

“Uh çfarë dite e trishtë! Sapo e lexova lajmin. Ky është chat-i fundit.U prehsh në paqe e mira Huejda dhe pse s’dua t’a besoj!!”, shkruan Irma.

Ndërsa moderatorja Arbana Osmani shkruan: “Çfarë trishtimi”.

Edhe gazetari Ervin Kurti ka reaguar me një postim në rrjete sociale ku ka publikuar një fotografi pranë artistes. Nuk ka munguar reagimi i stilistit Ardi Asllani, i cili shkruan: “Fjala këtu merr kuptim… Do të të mbaj mend me ngjyra përherë ashtu siç ishte shpirti yt!”

Ndërsa opinionisti Olti Curri shkruan: Hueyda e mirë, nuk e besoj dot që po shkruaj fjalë lamtumire për ty. Dhe radhët e fjalëve janë kaq të zbrazura për të treguar energjine, simpatine dhe dashamirësinë tënde. Zoti u nxitua me ty, ndaj atij i lutem të të mbajë pranë vetes dhe të ketë kujdes për ty. Të dua shumë dhe ti e ke ditur gjithmonë këtë gjë.”

VERITAS.COM.AL