Raporti i BE/OSBE-se, 1995

Një raport i vitit 1995 i Misionit për Asistencë të Sanksioneve që operonte në Shqipëri, pasi Organizata e Kombeve të Bashkuara i kishte vendosur embargo Jugosllavisë, nxjerr në pah kontrabandimin e naftës që bëhej asokohe nga Shqipëria për në Mal të Zi, duke i mundësuar kështu Slobodan Millosheviçit vazhdimin e luftës në Bosnje dhe furnizimin e makinerisë ushtarake me naftë

Raporti është risjellë në vëmendje pas debatit parlamentar të së enjtes në Shqipëri, ku Sali Berisha ishte një nga deputetët që i propozoi Parlamentit shqiptar të votojë një rezolutë që dënon gjenocidin serb në Srebrenicë.

Deputeti i PS-së, Taulant Balla, e konsideroi hipokrizi të jetë pikërisht Berisha njeriu që propozon këtë rezolutë, kur në kohën që ndodhte masakra në Bosnje ai, si President i Shqipërisë, lejonte kalimin ilegal të naftës për në Serbi.

Por, çfarë thotë raporti?

Bëhet fjalë për një raport të trupës që njihej si SAM – Misioni i Asistencë për Sanksione, një trupë e përbashkët e Bashkimit Evropian dhe OSBE-së.

Raporti mban datën 26 tetor të vitit 1995 dhe flet për “periudhën nga 7 shtatori deri me 23 tetor 1995”.

Titulli i raportit është “Sanksionet e Kombeve të Bashkuara kundër Republikës Federale të Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi)”.

Në raport, qysh në përmbledhje thuhet se “kontrabanda me naftë në Mal të Zi nga veriu i Shqipërisë po vazhdon, përkundër përpjekjeve për ta ndalur”, prandaj ekipit të “SAM Shqipëri u duhet më shumë staf”

Në një vend tjetër insistohet se “SAM Shqipëri ka nevojë urgjente për më shumë staf”.

Në sektorët e më poshtëm të raportit flitet për gjendjen në terren.

“Kontrabanda flagrante me derivate po vazhdon, sidomos natën nëpërmjet liqenit në Shkodër dhe lumit Buna. SAM Shqipëri ka raportuar se janë formuar rrjetet kontrabanduesish dhe janë vënë në funksion. Raportohet se kontrabanduesit kanë thënë se nafta e kontrabanduar nuk është vetëm naftë që vjen nga jashtë, por edhe naftë e prodhuar në Shqipëri”.

Më poshtë, në sektorin me titull “raporti i përjavshëm”, udhëheqësi i ekipit të SAM Shqipëri, raporton: “Të shtunën e kam vizituar personalisht pjesën e Shkodrës. Kam parë lëvizje të mëdha të kamionëve cisternë dhe kamionëve të kamufluar në rrugën mes Lezhës dhe Shkodrës”.

“Kam vizituar disa pika rreth lumit Buna dhe liqenit të Shkodrës dhe kam parë kontrabandistë në aktivitet të plotë, duke ngarkuar naftë në barela dhe duke i dërguar në Mal të Zi me varka, ose përmes lumit Buna duke shfrytëzuar rrjedhën”.

“Sipas kontrabandistëve ishte naftë e prodhuar në Shqipëri. Pika në Lezhë nuk punon si duhet dhe shumë më shumë cisterna se sa regjistrohen kalojnë aty”.

Raporti flet edhe për importin e madh të naftës që Shqipëria kishte në atë kohë, e çuditshme kjo për një vend të varfër që nuk kishte shumë mjete motorike dhe nuk supozohej të konsumont shifra aq të larta të karburanteve.

“Nga sistemi i verifikimit tregojnë se vetëm nga 1 deri me 24 tetor një total prej 25 mijë e 263 tonëve me naftë është importuar në Shqipëri. Shifrat e tetorit janë më të larta se të shtatorit për rreth 16 mijë tonë”.

Raporti flet edhe për një incident që kishte përjetuar një nga anëtarët e stafit të SAM Shqipëri. Atë e kishin sulmuar në banesë. Personat që iu kishin futur dhunshëm në vendin ku po jetonte, raporti thotë se, ishin policë.

“Një incident ka ndodhur me 16 tetor kur gjashtë policë me rroba civile, njëri prej tyre i armatosur, janë futur në një apartament në Shkodër ku po qëndronte një zyrtar i SAM-it. Vetëm me 19 tetor policia e Shkodrës ka kërkuar falje për incidentin”.

Incidenti e kishte shqetësuar shumë udhëheqësin e SAM Shqipëri, ndaj në raport sqaronte se e kanë të pamundur të ruajnë pikat ku bëhet kontrabanda në orët e vona.

“Për shkak të incidentit të fundit dhe mungesës së stafit është e pamundur t’i kemi oficerët tanë në orët e natës”.

Gjithashtu, incidenti tregon se duhet të intensifikohet bashkëpunimi mes zyrtarëve të SAM dhe policisë në lidhje me sigurinë e pjesëtarëve të SAM”.

Situata të ngjashme të kontrabandimit të naftës për në Mal të Zi dhe Serbi ishin përmendur edhe në një shkrim të Raymond Bonner, publikuar në New York Times, me titullin “Karburanti me embargo dërgohet në Serbi nëpërmjet Shqipërisë”.

Për këtë kishin shprehur shqetësim edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Në raporte të tjera të SAM Shqipërisë ishte njoftuar se  kontrabanda ka arritur në afro një milion galon në ditë ndonjëherë.

“Administrata e Clinton-it po shqyrton një notë zyrtare diplomatike, pasi ky vend në Adriatik është kthyer në autostradën e karburantit për fqinjin e tij të pabesë”, thuhet në një pjesë të shkrimit të NYT.

Aty citohet edhe Antonio Napolitano, koordinatori i sanksioneve për Bashkimin Evropian dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i cili deklaronte se “ndërsa karburanti po arrin në Serbi me rrugë të tjera, veçanërisht përgjatë Danubit, Shqipëria po furnizon më shumë se të gjitha vendet e tjera së bashku”.

Berisha, atëherë president, i kishte mohuar akuzat