Ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla do të mbyllet në burg. Vendimi përfundimtar, i formës së prerë dhe i zbatueshëm, është marrë sot nga Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit.

Kur reforma në drejtësi në Shqipëri u votua me 140 vota në Kuvend, në mendjet e gjithsekujt ishte pikërisht realizimi i një sistemi drejtësie që do të çonte në qeli ‘të paprekshmit’ e Tiranës, ose siç është thënë shpesh edhe nga amerikanët ‘peshqit e mëdhenj’.

Me vendimin e sotëm Apeli i GJKKO bëri pikërisht këtë duke lënë në fuqi vendimin për dënimin me 2 vite burg për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i cili bëhet kështu zyrtari më i lartë shqiptar që do të shkojë përfundimisht në qeli. Ish-Kryeprokurori është dënuar gjithashtu me 5 vite përjashtim nga postet publike si dhe ia janë konfiskuar 8 pasuri.

Report Tv mëson se Llalla prej një jave është larguar jashtë vendit për t’u mjekuar në një klinikë private. Nëse nuk paraqitet pas lënies në fuqi të vendimit, ndaj ish kryeprokurorit mund të shpallet mandat arresti e urdhër kërkimi ndërkombëtar.

Avokati i ish-kryeprokurorit, Sokol Hazizaj tha se vendimi është kopje e shkallës së parë, që nuk është i bazuar në prova.

“S’kam komunikim për argumente shëndetësore, për një mungesë hetimi nga ILDKPI për të vajtur te procesi penal, nuk ka asnjë gabim administrativ s ai përket deklarimit të pasurisë, unë isha në Gjykatën e Apelit dhe shtrova pretendimet në cilësinë e mbrojtjes ligjore, pastaj është avokati i shtetit që merret me njoftimit”, tha avokati.

Gjykata ka thënë se Llalla ka shkelur besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.

Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar. Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.