Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, i ka cilësuar “spektakolare” arrestimet e ish-zyrtarëve shqiptarë.

 Kjo u bë e ditur gjatë konferencës për shtyp në përmbyllje të vizitës së europarlamentarëve në Tiranë.

“Shqipëria ka arritur progres të konsiderueshëm në Reformën në Drejtësi dhe kjo duhet të sjellë funksionalitet të plotë të drejtësisë”, garantoi fillimisht McAllister.

Eurodeputeti gjerman sqaroi se ka pasur disa takime, me presidentin Ilir Meta dhe me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Ndër të tjera, ai është takuar edhe me Jorida Tabakun, në cilësinë e kryetares së komunitetit për integrimin e BE-së.

“Shqipëria është një anëtare e vlefshme e familje sonë evropiane dhe një aleate që ka luajtur një rol kyç për çështjen e sigurisë në Europë”, u shpreh McAllister.

“BE-ja”, ravijëzoi kryetari i delegacionit, “nuk ka kohë për të humbur për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Kjo, pasi të dyja vendet kanë përmbushur kriteret e nevojshme.

Anëtarët e delegacionit ishin: David McAllister (EPP, Gjermani), Kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme dhe Kryetar i delegacionit; Željana Zovko (EPP, Kroaci), Zëvendëskryetare e Komisionit për Punë të Jashtme; Hildegard Bentele (EPP, Gjermani); Isabel Santos (S&D, Portugali); Thijs Reuten (S&D, Hollandë); Thomas Waitz (Të Gjelbrit/EFA, Austri); Angel Dzhambazki (ECR, Bullgari).

Në rezolutën e fundit vjetore, Parlamenti Evropian rikonfirmoi se Shqipëria ka përmbushur kushtet e nevojshme për të nisur zyrtarisht negociatat e anëtarësimit.