“Forca e Ligjit në veprim vë në pranga një nga antarët e një grupi kriminal që operon në Tiranë në lidhje me aktivitetin e kundraligjshëm me tendencë ‘Trafikim narkotikësh’ dhe ‘Krimeve kundër personit’”, deklaron Policia.

Mes tyre ndodhet edhe këngëtari i repit, i njohur si ‘ Stresi’, ose Arkimed Lushaj.

Zyrtarisht mësohet se njësia Hetimore e Task Forcës Speciale Vendore Tiranë në Departamentin e Policisë Kriminale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit bëri kapjen dhe ndalimin e shtetasit Arkimed Lushaj, 31 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë.

Gjykata pranë Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr 1972 datë 17.10.2018, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në lidhje me veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal .

Ndalimi i këtij shtetasit u bë pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me metoda speciale të hetimit që janë kryer në funksion të një grupi kriminal që operon në Tiranë në lidhje me aktivitetin e kundraligjshëm me tendencë “Trafikim narkotikësh” dhe “Krimeve kundër personit” .

Policia thotë se gjatë arrestimit këtij shtetasi në ambjentet e një hoteli të ndodhur në vendin e quajtur Linzë, gjatë kontrollit të ushtruar i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar kokainë, një armë zjarri pistoletë e tipit “Pjetro Beretta”, si dhe 12 fishekë të modelit 7.65 mm.

Nga veprimet hetimore të kryera në lidhje me ngjarjen e mësipërme filloi procedimi penal në gjendje të lirë në lidhje me veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal ndaj shtetases P. Ç., 20 vjeçe, banuese në Tiranë.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore në lidhje me veprat penale të “Mbajtjes pa leje dhe prodhim të armëve shpërthyese dhe të municioneve” dhe “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” të parashikuar nga nenet 278/1 dhe 283 i Kodit Penal.

Veritas.com.al/