Të gjithë pacientët me Covid19 që trajtohen në banesë të siguruar ose jo, nga sot do të përfitojnë rimbursimin për trajtimin e tyre. Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu gjatë një komunikimi me median.

“Qeveria shqiptare ka marrë vendimin për të rimbursuar të gjithë pacientët me Covid19 që trajtohen në mënyrë ambulatore në shtëpi. Do të përfitojë të gjithë qytetarët qoftë nëse janë të siguruar, qoftë nëse nuk janë të siguruar. Nga sot ka filluar të funksionoje si skemë mjekimi në të gjithë strukturat tona të kujdesit parësor. Vlera e rimbursimit e paketës së barnave për të dy skemat e mjekimit është 125 dollarë”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se qeveria shqiptare ka financuar 1.2 miliard lekë për rimbursimin e trajtimit ambulator. Paketa e barnave për trajtimin ambulator në banesë të pacientëve të diagnostikuar me Covid-19 përbëhet nga dy skema trajtimi, në përputhje me formën e sëmundjes, sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve dhe do të financohet 100% nga shteti.

Paketa e mjekimit bazë përmban vitaminoterapi, antipiretikët, antibiotikët, antikoagulantët dhe kortizonikët, por është mjeku i familjes ai që përcakton se çfarë mjekimi duhet të marrë pacienti i diagnostikuar me COVID19. Paketa antiCOVID e financuar nga qeveria ka barna që janë aktualisht në listën e rimbursimit por edhe barna të reja të cilat janë shtuar me këtë paketë, për t’u përfituar nga të gjithë të prekurit, sipas vlerësimit të mjekut të familjes.
Pacienti nuk ka nevojë të shkojë fizikisht në qendër shëndetësore për përfitimin e paketës, por duke u lidhur me mjekun e familjes, nëpërmjet sistemeve të shëndetësisë elektronike, gjithë procesi është online dhe një familjar mund të tërheqë barnat në farmaci me kodin e recetës.

E pyetur në lidhje me fondet aktuale për përballimin e rimbursimit këtë vit, Ministrja Manastirliu u shpreh se ato janë pjesë e paketës prej 25 milion euro të vëna në dispozicion nga qeveria për përballimin e pandemisë si dhe saktësoi se fondi prej 1.2 miliardë lekë në buxhetin e vitit të ardhshëm, është parashikuar për mbulimin e trajtimit ambulator në banesë.

Në lidhje me pacientët që nuk janë konfirmuar me testin pozitiv, Ministrja e Shëndetësisë tha se edhe pacientët që nuk janë konfirmuar me test pozitiv por kanë simptoma, mund të trajtojnë simptomat me barnat që janë aktualisht në listën e barnave të rimbursueshme, falas për qytetarët, pavarësisht paketës së miratuar dje.

“Paketa e miratuar është buxhetuar në fondet e alokuara që në fillim të kësaj pandemie. Janë 25 milion euro të dedikuara Ministrisë së Shëndetësisë për përballimin e epidemisë, për rritjen e kapaciteteve por edhe për mbulimin e rimbursimit. Edhe paketa e rimbursimit nuk ishte një paketë e cila u mendua dje dhe u financua sot. Në strategjinë tonë të vjeshtë-dimrit, edhe në strategjitë e mëparshme, paketa e mbështetjes së qytetarëve me terapitë e barnave në spitale është falas, por edhe përsa i përket rimbursimit ambulatory u vlerësua sipas udhëzimit të përcaktuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Por lista aktuale e rimbursimit ka gjithashtu terapi, apo klasa barnash të cilat rimbursohen edhe për infeksionet virale”, tha Ministrja Manastirliu.

Mjeku i familjes përshkruan barnat sipas protokolleve dhe udhëzimeve të përcaktuara, në varësi të stadit të sëmundjes së pacientit. Kohëzgjatja e mjekimit është deri në 1 Muaj dhe receta e rimbursuar përfitohet sipas sistemit aktual të rimbursimit, në farmacitë e rrjetit të hapur me kontratë me Fondin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.

VERITAS.COM.AL

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.