Analisti amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, ka reaguar ndaj deklaratës së analistit politik në Serbi, Dushan Janjiq, i cili ka thënë se Serbia e paguan nga 100 mijë dollarë në muaj Richard Grenellin.

Pretendimet e analistit serb se ish i dërguari special për dialogun Kosova-Serbi nga ish-presidenti amerikan Donald Trump, Richard Grenell mbron interesat e Serbisë dhe për këtë ai paguhet 100 mijë dollarë në muaj nga shteti serb, i ka hedhur poshtë vetë diplomati amerikan.

Ndërkohë, ndaj këtyre pretendimeve të analistit serb, ka reaguar analisti amerikan dhe profesori i Universitetit John Hopkins, Daniel Serwer, i cili ka kërkuar dëshmi për pretendimet e analistit serb.

“Më dërgoni prova dokumentuese që kjo është e vërtetë dhe unë do t’ia dorëzoj personalisht Departamentit të Drejtësisë”, shkroi Serwer në Twitter.

Grenell i ka quajtur të pavërteta deklarimet e analistit serb Dushan Janjiq, i cili tha se Vuçiq e paguan 100 mijë dollarë në muaj për lobim.

Ai këto pretendime i ka quajtur të rreme.

Ndërkaq, Janjiq në një emision televiziv, tha se nuk e di pse Serbia e paguan Grenellin, kur Trump nuk është më në pushtet.

Ne madje e paguajmë edhe Grenellin nga 100 mijë dollarë në muaj, nuk e di pse, kur shefi i tij nuk është në pushtet. Lobimi është në mënyrë të çuditshme i organizuar, për fat të keq, askush nuk ka bërë asgjë lidhur me këtë, nga Milosheviqi e deri më sot, janë kornizat e njëjta dhe pothuajse të njëjtat agjenci. Nuk kemi lobim serioz në raport me kompanitë, që të vijnë dhe të bëjnë diçka”, tha Janjiq.