Nga: Veritas.com.al/

Askush nuk kishte dyshime se Policia e shtetit dhe qeveritarët e vendit kishin ndërtuar një skemë për ruajtjen shtetërisht të plantacioneve të drogës dhe transportimin e “mallit” drejt Italisë dhe vendeve të tjera perëndimore. Përderisa kjo punë e rrezikshme bëhej kaq e “kopsitur” dhe e garantuar, me siguri kushdo merrte me mend se vetëm shteti mund ta bëjë këtë.

Pra, askush nuk dyshonte se shteti kishte ndërtuar një skemë, por akoma nuk kishin në dorë një skemë konkrete.

Sot, Partia Demokratike (në opozitë) paraqiti skemën konkrete, në një zonë të caktuar, një distrikt i vendit. Por kjo skemë minore është shëmbëlltyra e skemës gjigande që mbulon gjithë Shqipërinë.

Ja cila është skema; fillimisht lajmi që ka qarkulluar në media gjithë kësaj kohe, dhe pastaj skema.

Lajmi: Në Vlorë u kapën 21 tonë kanabis- sativa, sasi kjo shumë e madhe, që ditë për ditë po dërgohet drejt Italisë me skafe. Dje 750 kile, pardje 2 tonë, sot një sasi rreth një tonë, e me radhë. Por përditë siguria nga pika e nisjes, që është Shqipëria, është maksimale. Sasia e deklaruar është kapur në Itali, nga autoritetet e atij shteti.

Në deklaratën e Partisë Demokratike, ku zbulohet skema e trafikut, thuhet se: “Rrjeti komadohej nga drejtori i Policisë së Vlorës, Jaert Cela, përmes shefit të postës së Selenicës, Enkeleid Greku, kunatit të këtij të fundit që administron skafet në Vlorë, Dhimitraq Janku, dhe shefit të krimit të organizuar në Vlorë, Gjergj Kohila”.

Domethënë kjo është skema: Në çdo Qark, në krye të skemës qëndron shefi i komisariatit të Policisë (siç u manifestua në Dibër me shefin e komisariatit që luftonte për drogën dhe për votën); poshte shefit qëndrojnë pjesëtarë të afërt të familjes që mund të kenë edhe pushtet politik (vëllai i shefit të Dibrës u kap me drogë në Lezhë); pastaj pjesëtarë të tjerë të familjes që kanë ose skafe, ose makina të sigurta, ose kafshë… dhe të gjithë që kanë armë.

Kjo është skema e ruajtjes dhe e trafikut të drogës.

E gjithë skema kontrollohet dhe zhvillohet nën kujdesin e kryeministrit dhe të ministrit të Punëve të Brendshme.

Ka nisur edhe lufta mes grupeve rivale, që mendohet se sot për sot kontrollohen nga qeveria. Para tri ditësh një banor i Shëngjergjit u vra në përplasje për parcelat e drogës. Policia e fshehu krimin. Edhe ky ishte një ekzekutim i stilit mafioz. Duke e fshehur, Policia mendon se e kontrollon vrasjen mes rivalëve. Vetëm brenda dy muajve të fundit, vrasja e Shëngjergjit shënonte vrasjen e tetë mes grupeve rivale. Ma kalimin e kohës kjo mund të strukturoret si vrasje klasike grupesh rivale në drogë.