Nga: Spiten Prulli/ Koha Jonë

Dje ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri u shfaq jo vetëm në sallën e parlamentit për të bërë detyrën ndaj vetes që të mos humbiste mandatin e deputetit, kur nuk merr pjesë për 6 muaj në seancë, por edhe u kthye në protagonist i ditës. Që të jemi korrekt me të vertetën duhet pranuar se ishte ish-kryeministri Berisha që, me apo padashje, e bëri lajm dite Saimir Tahirin. Ndërkohë që ish-ministrin e brendshëm e kanë larguar, të paktën formalisht e publikisht nga grupi parlamentar i PS-së, fotografët kapën dje çaste kur ishin vënë në radhë ish-ministra, ministra dhe deputetë të PS për ta takuar dhe përqafuar Saimir Tahirin. Ish-ministri rri në fund të rrjeshtit në sallën e Kuvendit, ku nuk kapet nga kamerat televizive të katit të dytë, por dikush nga lozhat anash fotografoi radhët socialiste duke pritur takim me Tahirin, të cilin kryeministri ka thënë se e ka përjashtuar nga PS. Fotot që morën dje dhenë në rrjetet sociale apo mediat online treguan krejt mirë fytyrën e vertetë të PS-së, e cila ndryshe deklaron në publik se “nuk kemi punë me të derisa të pastrohet nga drejtësia”, bile u thonë të huajve se nuk na lidh asgjë me të si dhe krejtësisht u pa qartë se ish-ministri ishte një simbol për pjesën dërmuese të kupolës së PS. Fotografitë ku ish-ministrja e mbrojtjes Mimi Kodheli shtrëngohej me ish-ministrin e brendshëm, apo ministrja e kulturës Mirela Kumbaro e shikonte si të ishte Zeusi apo kur ish-kryeministri Fino i bënte shoqëri dhe qeshnin bashkërisht tregon dyfytyrsinë e kupolës rozë në raport me këtë çështje delikate nga e cila PS-ja ka marrë goditje fatale, ndërsa Shqipëria mund të mos marrë statusin final në qershor.

Prapë për të qenë korrekt, Saimir Tahiri nuk mund të quhet fajtor pa një vendim të formës së prerë të gjykatës. Gjithsesi akuzat dhe shumë gjëra që kanë dalë në publik e rëndojnë situatën e tij, prandaj kryeministri Rama dhe PS-ja e përjashtoi nga radhët e saj. Pamjet e djeshme treguan se kupola rozë vepron me dy standarte, një për publikun sa për sy e faqe dhe tjetra, e verteta, mbetet se ata janë një, bashkë me Sajmir Tahirin, gjë që zhbën atë çfarë u thonë ndërkombëtarëve.

Derisa janë deputetë dhe ministra ata janë të detyruar ta përbajnë dashurinë e tyre të brendshme për ish-ministrin e brendshëm, pasi akuzat nga prokuroria e krimëve të rënda janë shumë të rënda. Bile shumë të rënda për një politikan. Ish-ministri nuk është akuzuar për shpërdorim detyre apo korrupsion, që ndonëse është shkelje ligjore dhe ka penalitet, por vetëm për bashkëpunim në banda kriminale të trafikut të drogës. Kjo është shumë e rëndë si akuzë dhe si imazh për ish-ministrin më të rëndësishëm të qeverisë së Edi Rama. Të gjithë e kemi dëgjuar kur kryeministri e ka quajtur modelin e qeverisjes, Tahirin. E ka patur bindje apo ka qenë i detyruar ta thoshte, pasi asnjë nuk e di se çka sirtari i Tahirit për politikën, kryeministrin, ministrat, median etj; këtë asnjë nuk e parashikon dot. Tahiri ka dosje dhe dokumenta kompremtues për disa në pozitë dhe në opozitë, kjo as nuk diskutohet, pasi ka përdorur struktura shtetrore dhe segmente të tjera për të kapur mat, jo vetëm armiqtë e tij, por miqtë. Kjo duket nga mënyra se si luan ish-ministri dhe nga garancia që i jep kryeministri dhe krejt PS.

Bile dje ish-ministri Tahiri i pyetur me insistim nga mediat në raport me kryeministrin, tha një togfjalësh që u bë kryelajm. Ai tha pa pikë hezitimi se “nuk ka lindur bir nëne dhe bir kurve që të më bëjë mua….”. I gjithë togfjalëshi ishte për kryeministrin, ndonëse në darkë te Sokol Balla, kreu i qeverisë, Rama, tha se “presion mua në shqip apo në gjuhë të huaj nuk më bën dot njeri”. Pra ka diçka që sillet mes tyre, por që nuk ia thonë publikut dhe as drejtësisë. Ata kanë zgjedhur për momenyin në sytë e publikut që sejcili në punën e tij dhe të mos hamë kokën e njeri tjetrit. Ndërkohë Rama lejon turrën e deputetëve dhe ministrave të tij ta përqafojnë dhe të mbajnë “ngrohtë” që të mos flasi Tahiri.

Seç di Tahiri për qeverinë dhe turrën e deputetëve të PS, kjo hamëndësohet me deduksion, por duhet prokuroria ta zbërthejë. Gjithnjë nëse prokuroria e krimëve të rënda nuk e ka dredhur vendosmërinë e saj të fillimit.

Dje u pa qartë se Saimir Tahiri, ndonëse mbahet formalisht larg nga PS-ja, në të vertetë ai është atje, mes tyre dhe brenda tyre, çka thëniet publike të distancimit prej tij janë mashtrime politike për publikun dhe ndërkombëtarët.