Të burgosurit për terrorizëm vijojnë të mbajnë profil radikal dhe janë të angazhuar në aktivitete radikalizuese, thekson Shërbimi Informativ i Shtetit në raportin e vitit 2021.

Sipas SHISH, Organizatat terroriste ISIS, “Al-Qaida” dhe grupe të tjera ekstremiste mbeten kërcënim për sigurinë ndërkombëtare dhe rajonale. Për të përhapur mesazhe radikalizuese dhe rekrutuese, këto grupe përdorin teknologjitë e komunikimit online.

“Grupet terroriste janë shpërndarë në platforma të tjera komunikimi për të decentralizuar edhe më tej propagandën dhe shpërndarjen e retorikës dhe ideologjisë së tyre. Lidhja e elementëve radikalë me luftëtarët e huaj terroristë (LHT) apo organizata terroriste janë faktorë nxitës të aktivitetit të mundshëm terrorist. Gjithashtu, shtetas nga rajoni tashmë pjesë e diasporës ballkanike në vendet evropiane, janë evidentuar e ndaluar për aktivitet terrorist, apo si propagandues e mbështetës të ideologjisë së organizatave terroriste”, thuhet në raport.

Shërbimi Informativ i Shtetit paralajmëron se shkalla e radikalizimit mund të ndikojë në situatën e sigurisë, pas përfundimit të dënimeve së këtyre individëve.