Nga: Roberto Vivaldelli/

Evropianët tani besojnë se Bashkimi Evropian mund të shpërbëhet. Siç është raportuar nga Guardian, sondazhi i fundit i Këshillit Evropian të Marrëdhënieve me Jashtë, i kryer nga YouGov, flet qartë: më shumë se gjysma e qytetarëve evropianë besojnë se BE rrezikon të bjerë në harkun e një gjenerate, pavarësisht besimit te madh në institucionet komunitare. Në Francë, Gjermani, Belgjikë, Itali, Holandë, Austri, Sllovaki, Rumani, Greqi, Republika Çeke dhe Poloni, shumica e personave të intervistuar besojnë se shpërbërja e BE-së është një “mundësi reale” në 10-20 vitet e ardhshme.

Një ndjenjë veçanërisht e përhapur në Francë, ku partia En Marche e Presidentit Emmanuel Macron zvarritet me mund në sondazhe pas Rassemblement National të Marine Le Pen. Sipas sondazhit të porositur nga think-tank i themeluar nga Mark Leonard, 58% e qytetarëve francezë të intervistuar besojnë se është shumë e mundur që BE-ja është e destinuar te shembet brenda 20 viteve të ardhshme: një pesimizëm i përhapur me të njëjtat përqindje në Rumani, Poloni dhe Itali, edhe pse vendi i parë është zënë nga Sllovakia (66%). Nga 14 vendet e intervistuar nga YouGov – që përbëjnë 80% të vendeve në Parlamentin Evropian – vetëm në Suedi (44%), Danimarkë (41%) dhe Spanjë (40%), shumica e qytetarëve besojnë se BE nuk do të rrëzohet së shpejti.

Sondazhe shock : “Lufta në BE e mundur”

Zhgënjimit për të ardhmen e Bashkimit Evropian i shtohet bindja, mes një pjese të konsiderueshme të të intervistuarve, se një luftë në Kontinentin e Vjetër paraqet një mundësi konkrete. Pothuajse 70 vjet pas themelimit të Komunitetit Europian të Qymyrit dhe Çelikut (KEQÇ), krijuar me Traktatin e Parisit më 18 prill 1951,mbi iniciativën e politikanëve francezë Jean Monnet dhe Robert Schuman dhe që bashkoi Belgjikën, Francen, Gjermaninë Perëndimore, Italinë, Luksemburgun dhe Holandën, tre nga dhjetë të intervistuar besojnë se lufta në Evropë përfaqëson një mundësi reale. Në Francë dhe Poloni, një e treta e votuesve besojnë se një luftë është e mundur. Në Itali, përqindja është një në pesë italianë.

Por ky nuk është i vetmi shqetësim i evidentuar nga sondazhi mbi të ardhmen e BE-së: 44% e evropianëve arrijnë në fund të muajit me vështirësi dhe nuk mund të lënë mënjanë para, ndërsa për 50% fëmijët do të jetojnë më keq se prindërit e tyre. Në të gjithë Evropën, tre të katërtat e votuesve mendojnë se politika në nivel kombëtar dhe evropian nuk është adeguate. Në Francë, vetëm 15% e votuesve mendojnë se sistemi politik funksionon mirë. Sipas Mark Leonard, themelues dhe president i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, një think-tank pro-evropian i themeluar me kontributin e George Soros dhe Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur, “ka shtatë ditë për të zgjidhur paradoksin në zemër të projektit evropian. Mbështetja për anëtarësimin në BE është në nivelin më të lartë që nga viti 1983, por shumica e votuesve kanë frikë se BE mund të shkatërrohet. Evropianistët duhet ta përdorin këtë frikë për të mobilizuar qytetarët për t’i çuar të votojnë”.

Kërcënime për qytetarët italianë

Një tjetër sondazh i realizuar në prill, gjithmonë nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, na tregon se cilat janë prioritetet dhe kërcënimet e perceptuara nga qytetarët evropianë, Vend për Vend. Në Itali, shumica beson se kërcënimi real për Evropën është kriza ekonomike (28%), e ndjekur nga islami radikal (18%) dhe emigracioni (15%). Nacionalizmi është problem vetëm për 12% të të anketuarve, ndërsa ndryshimi i klimës mezi arrin 7%.Pothuajse askush, të paktën në Itali, beson në “kërcënimin rus” (1%).

E ardhmja e BE-së ka ndarë gjithmonë studjuesit e Marrëdhënieve ndërkombëtare. Siç shkruan Angelo Panebianco në Corriere della Sera, “në vitin 1990 një studiues amerikan, John Mearsheimer, duke reflektuar mbi atë që ai e konsideronte si pasojat e mundshme nga rënia e Murit të Berlinit dhe bashkimit gjerman, shkroi një ese me një titull sugjestiv: Back to the future, kthim në të ardhmen. Sipas Mearsheimer, Evropa së shpejti do të kthehej të ndahej siç kishte bërë gjithmonë, shtetet evropiane do të kishin filluar të praktikonin, njëra kundër te tjerave, lojën e vjetër te politikës së potencës. Kjo ese shkaktoi një ortek kritikash. Ishte në kontrast me klimën euforike, të pasluftës që mbizotëronte në Perëndim në atë moment “.

Në një intervistë ekskluzive të kohëve të fundit me gazetën tonë, studjuesi amerikan, Profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Çikagos, u kthye të flasë për të ardhmen e BE-së: “Besoj se BE është në vështirësi dhe se situata mund të përkeqësohet ,jo te përmirësohet me kalimin e kohës. Një pjesë e problemit është euro, që nuk funksionon mirë pa integrim fiskal dhe politik – dhe kjo nuk do të ndodhë. Një aspekt tjetër i problemit është lëvizja e lirë e popujve brenda BE-së, që tenton të ushqejë nacionalizmin. Brexit, për shembull, ishte shkaktuar kryesisht nga pakënaqësia britanike mbi numrin e madh të evropianëve te Lindjes të cilët ishin transferuar në Britanine e Madhe. Dhe nëse do te ketë një valë tjetër të refugjatëve në Evropë, kjo do të shkaktojë probleme të mëdha. Shumë evropianë gjithashtu besojnë se vendet e tyre kanë dorëzuar shumë autoritet ose sovranitet në Bruksel, i cili nuk është përgjegjës përpara votuesve në Vende të ndryshme evropiane. Në thelb, ekziston një “deficit demokratik” që gjeneron armiqësi ndaj BE-së, veçanërisht kur nuk po shkon mirë ekonomikisht “.

Veritas.com.al/