Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu deklaroi se dështimi i Partisë Demokratike në zgjedhje lidhet me disa faktorë, mes të cilëve mungesa e një fryme opozite funksionale, mungesa e përfshirjes aktive të aleatëve në fushatë dhe konflikti që u krijua nga ideja e ndarjes së brezit të vjetër dhe të ri brenda PD-së.

Mediu kritikoi vendimin e Bashës për të lënë personalizuar fushatën dhe për të lënë jashtë saj figurat historike të Partisë Demokratike.

“Mungoi fryma e një opozite funksionale. Do t’jua them z. Basha, do t’ja them dhe z. Berisha, për fatin e keq memoria historike në Partinë Demokratike është shumë e dobët. Është si një magazinë pa inventar. Z oti Mustafaj është një aset i PD, duke ardhur në fushatë, duke bërë fushatë për PD pa pasur interes specifik të vetin. Por sa të tjerë ka që duhet të ishin bërë pjesë aktive e fushatës elektorale? Për fatin e keq ndonjëherë ideja e krijimit të idesë ‘brezat e rinj brezat e vjetër’, krijon një lloj konflikti që krijon një lloj përjashtimi.” – tha Fatmir Mediu për Tv Klan.

Kreu i Republikaneve ka rezerva edhe për marrëveshjen e Bashës me kryeministrin. Për Mediun qëndrimi në opozitë sjell si nevojë reformimin e Partisë Demokratike duke nisur që nga kryetari i saj. Mediu është kundër idesë për një koalicion të gjerë, mes PD dhe PS, pasi sipas tij, vendi do të mbeste pa opozitë, pasi LSI vetë është një parti e majtë.

Veritas.com.al/