Mëngjesin e 7 tetorit është mbajtur ceremonia zyrtare e prezantimit të drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Në këtë aktivitet, Ardi Veliu, i ka dorëzuar detyrën, tashmë ish-shefit të Antiterrorit.

Të pranishëm në ceremoni ishin edhe zyrtarë të lartë të Policisë dhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi.

Ministri e ka cilësuar këtë ditë si “të veçantë”.

“Sot është një ditë e veçantë, që ndoshta janë si gurë kilometrikë në një nga organizatat më të vjetra të shteteve”, u shpreh ai.

Ministri ka theksuar se, Veliu e ka çuar Policinë e Shtetit në nivelet më të mira që ka qenë.

“Gjithkush mund të ketë rezerva, por duhet të pranojmë që Policia e Shtetit është më e plotë, në bashkëpunim me partnerët tanë perëndimorë”, u shpreh Çuçi.

Pas leximit të vendimit të marrë nga Këshilli i Ministrave, Nano u betua si drejtori i ri i Policisë.

Ai u shpreh se, tashmë ky pozicion nuk është vetëm privilegj për të, por edhe një ngarkesë e re në përgjegjësi.

“I frymëzuar nga babi im, nga pozicioni më i ulët deri te gradat më të ulëta kam punua me përkushtim, sfidat për policinë, qytetarët presin standarde të tjera në zgjidhje probleme tyre”, u shpreh Nano.

Drejtori i ri shtoi se prioritete të Policisë do të jenë partneriteti ndërkombëtar, policët më të trajnuar dhe digjitalizim.

“Dua t’i uroj çdo kolegu suksese në përmbushjen e detyrës. Kërkoj angazhimin tuaj maksimal në realizimin e detyrave, sipas betimit që kemi bërë”, deklaroi Nano.

Nga ana tjetër, Veliu në fjalën e tij, ravijëzoi se në 35 vite në uniformë, është përpjekur të bëj më të mirat.

Ai ka falënderuar familjen dhe i ka uruar suksese drejtorit të ri të Policisë së Shtetit.

“Sot policia e Shtetit është më mirë se dje”, finalizoi ai deklaratën e tij.

Kush është Gledis Nano?

Prej me shume se nje dekade ai ka shërbyer si oficer karriere në Policinë e Shtetit.

Nëse karriera e tij do të piketohej me tre momente, ato kulmojnë me dosjen e famshme të “Imamëve”, protagonizmin në riatdhesimin e shqiptarëve nga Siria dhe dëbimin e diplomatëve iranianë dhe rusë nga vendi ynë.

Në vitin 2013, ai ka kryer hetimet e dosjes se “Imameve” të arrestuar për terrorizëm, ngjarje e cila ka pasur shumë jehonë si një nga më të suksesshmet në këtë fushë në të gjithë rajonin. Ata akuzoheshin për rekrutim të personave me qëllim kryerjen e akteve terroriste si dhe nxitje dhe thirrje publike për kryerjen e këtyre akteve.

Nano po ashtu drejtoi të gjithë operacionin sekret të dëbimit një muaj më parë të diplomatëve iranianë nga Shqipëria, operacion i “përshëndetur” edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjithashtu, ai ka udhëhequr operacionin për të nxjerrë nga Kampi Al Hol në Siri, shtetasit shqiptarë që mbaheshin aty, duke qenë një nga emrat kyç të këtij operacioni.

Ndërsa në gusht të këtij viti, Gledis Nano ishte sërish protagonist i riatdhesimit të grave dhe fëmijëve shqiptarë nga kampi në Siri.

Ai ka marrë certifikatë vlerësimi për kontributin e dhënë në luftën kundër terrorizmit global, e ndërsa për punën e tij në këto operacione të rëndësishme është vlerësuar edhe nga ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Në certifikatën e dorëzuar nga vetë Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, shkruhet: “Për partneritetin e jashtëzakonshëm dhe dedikimin në mbështetje të Ambasadës Amerikane në Tiranë, Shqipëri, dhe përpjekjet e përbashkëta në luftën botërore ndaj terrorizmit”.