Rëënia e kompanisë Sun Petroleum (shumicë e pakicë), e cila tregtonte karburant në pikat e Gulf dhe ndërpreu aktivitetin, pasi kishte shitur qindra tollona, ka hapur sërish kutinë e Pandorës në tregun e naftës në Shqipëri.

Prej dy ditësh, në pikat e tregtimit të Gulf është krijuar amulli, pasi Sun Petroleum Albania shpk (e cila bën tregtimin me pakicë të naftës) ka ndërprerë furnizimin, ndërkohë që konsumatorët kishin blerë me qindra tollona. Askush nuk po u jep zgjidhje atyre se çfarë do të bëhet, teksa të dy kompanitë e lidhura me të Sun Petroleum Albania (e pakicës) dhe Sun Petroleum Albania Trading (e shumicës) janë offshore dhe si të tilla është e pamundur të identifikohen aksionerët. Aksioner zyrtar është Universal Energy Group, me seli në Delaëare të SHBA-ve, një zonë e njohur për krijimin e kompanive guackë. (Falimenton Gulf me aksioner offshore, disa pika i ble Alpet, amulli me tollonat)

Burime nga tregu pohuan se muajin e fundit Gulf kishte shitur tollona edhe me 120 lekë për litër,  që është 25-40% më lirë se nafta që tregtohet në pikat e tjera të pakicës (165-178 lekë/litër), në një skemë mini piramidë, teksa nafta ka mbaruar dhe tollonat kanë mbetur në duart e konsumatorëve.

Aktorët e tregut pohojnë se në pikat e pakicës së Gulf është tregtuar nafta e rafinerisë ARMO, e cila ka punuar deri në fund të nëntorit të vitit të kaluar. ARMO shfrytëzohej nga kompania IRTC (edhe kjo një offshore) që prej tetorit të vitit 2016 dhe e ndërpreu aktivitetin në nëntor 2017, pasi Bankers Petroleum, që e furnizonte me naftë bruto ndërpreu marrëdhënie për shkak të mospagesave. Në momentin që ndërpreu aktivitetin, IRTC kishte rreth 30 milionë euro detyrime të papaguara, sipas burimeve zyrtare të tatimeve në një material për Komisionin e Ekonomisë.

Pikë e rrethuar e kompanisë Gulf

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave bëjnë të ditur se në vitin 2017, importet e karburanteve ranë me 21% në 400 mijë ton, ose rreth 100 mjë tonë naftë më pak se viti i mëparshëm, teksa nafta vendase zuri gati 30% të tregut. Por, pavarësisht se neni 15 i ligjit 8450 I ndryshuar Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre” sanksionon se “Në çdo stacion të shitjes se karburanteve duhet të jenë të ekspozuara, në mënyrë të dukshme dhe të qarte llojet e karburanteve që tregtojnë”, në asnjë pikë në Shqipëri nuk u bëhej e ditur konsumatorëve nëse blinin naftë vendi apo importi.

Aktualisht, burime nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial pohuan se asnjë rafineri nuk është në punë në Shqipëri dhe nafta për konsum vjen e gjitha nga importi.

Mësohet se Sun Petroleum ka krijuar detyrime ndaj tatimeve, ndonëse ka deklaruar se do i paguajë me këste dhe përgjithësisht ka qenë konsideruar si kompani e rregullt, ndërsa ka akumuluar dhe borxhe ndaj furnitorëve që arrijnë në miliona euro dhe nuk ka paguar as qiratë e pikave muajt e fundit (pjesën më të madhe të pikave e kishte me qira).

Monitor tentoi gjatë ditës së sotme të kontaktonte shumë institucione për t’i pyetur rreth situatës dhe se çfarë do të bëhej me konsumatorët që kishin blerë tollonat, por të gjithë u shmangën dhe na adresuan për kërkesa zyrtare gjatë javës së ardhshme.

 Pse shqiptarët po e paguajnë shtrenjtë naftën?

Shqipëria ka pasuri të shumta natyrore me naftë, teksa fusha e Patos Marinzës është më e madhja mbi tokë në Europë. Por, shqiptarët historikisht kanë pasur përfitime minimale nga kjo pasuri, teksa koncesionarët, një pjesë e të cilëve kanë qenë ose janë offshore, vijojnë ende të rezultojnë me humbje (ndonëse nënkontraktorët e tyre kanë deklaruar fitime të larta).

Nga ana tjetër vijojnë e blejnë në pikat e pakicës naftë, që ëhstë ndër më të shtrenjtat në Europë dhe për të cilën nuk ka as garanci cilësie (vitin e fundit u shtuan dukshëm makinat që nxjerrin tym të zi nëpër rrugë). (Shqipëria e pesta në botë për naftën e shtrenjtë, sipas fuqisë blerëse; ja sa shumë taksa paguajmë në një litër)

Tregtimi i naftës është një sektor që ka lëvizje të mëdha, me mbyllje të kompanive, apo rritje stratosferike të tyre brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Aktorët e tregut pohojnë se tregu i naftës ka luhatje shumë të mëdha, duke qenë dhe sektori që ka më shumë falimentime. Çdo vit falimentojnë 2-3 kompani.

Nga ana tjetër, ka shumë sipërmarrje, që hyjnë në treg, ndërkohë që mungon kontrolli dhe informaliteti është shumë i lartë. Mund të ndodhë që një operator të hyjë në treg, të xhirojë deri në 10 milionë dollarë dhe të dalë vitin tjetër, duke shkarkuar kështu një pjesë të xhiros së pafaturuar të një kompanie tjetër, një formë e përdorur rëndom evazioni më se një dekadë më parë, por që duket se është rikthyer sërish në modë. Borxhet e kreditë e ndërsjellta apo shit-blerjet mes kompanive janë një formë tjetër e shmangies.

Në vitin 2014, tatimet çuan për gjykim administratorit e shoqërisë “Tea Construction and Petroil”, pasi kompania kishte bërë transportin fiktiv të një sasie prej 4.4 milionë litra naftë nga një depozitë në Kodër Mëzez, Tiranë për në magazinën doganore në Ballsh, ndërkohë që nafta ishte shitur në treg, duke shmangur të paktën 242 milionë lekë taksa.

Rasti më flagrant është ai i rafinerisë ARMO, dhe nënkontraktorëve të saj, të cilët janë të zhytur në borxhe, të krijuara në vite që vetëm ndaj tatimeve arrijnë në 240 milionë euro (sipas burimeve zyrtare të tatimeve, pa llogaritur fshirjet nga falja fiskale). Në total detyrimi, përfshirë furnitorët, ujësjellës, energji dhe bankat e huaja arrin në 600 milionë euro, sipas vlerësimeve të mëparshme nga Ministria e Industrisë dhe Energjisë. (“Ujku” i naftës, skema e radhës së grabitjes së ARMO)

Rasti i ARMO është një nga vjedhjet më të mëdha në historinë e Shqipërisë që ka mbetur pa gjetur fajtorët.

Tentativat për të vënë në punë rafinerinë vijojnë, teksa një tjetër ofsshore,  Byllis Energy është në negociata me punonjësit për të rifilluar punën në rafineri. Në fakt, pas gjithë kompanive offshore në Shqipëri, janë fshehur sipërmarrës shqiptarë, që prej vitesh po lëvizin gjithë fijet e këtij tregu që qarkullon miliona… (Marrë nga Monitor)/

Veritas.com.al/