Ministria e Energjisë shpalli fitues të një gare të mbajtur nga Albpetrol për koncesionin e tre fushave naftëmbajtëse në jug të Shqipërisë, kompaninë Transoil Group AG – e lidhur me kompaninë ruse Gazprom Neft dhe atë serbe NIS, duke ngritur dyshime për shkeljen e barazisë në tender dhe konflikt interesi.

Nga: Besar Likmeta | BIRN

Më 9 maj, ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës Damian Gjiknuri urdhëroi ngritjen e një grupi negociator për lidhjen e marrëveshjeve hidrokarbure për vendburimet Cakran-Mollaj, Gorisht-Cokul dhe Amonicë me kompaninë Transoil Group AG – e cila që nga viti 2012 nëpërmjet degës së saj në Shqipëri, Transoil Group Sh.a, kontrollon gjithashtu fushën naftëmbajtëse të Visokës.

Negociatat pasojnë finalizimin e një gare të mbajtur më 31 mars nga Albpetrol, ku Transoil Group AG u shpall fitues mes nëntë kompanive ndërkombëtare pjesëmarrëse.

Të dhënat dhe dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se kompania fituese Transoil Group, e cila administrohet në Shqipëri nga Shefqet Dizdari dhe ka lidhje biznesi me kompaninë Gazprom Neft në pronësi të gjigandit rus të prodhimit të gazit, Gazprom. Gazprom zotërohet në 50.23 për qind të aksioneve nga qeveria ruse.

Lidhjet e biznesit me kompaninë ruse nuk janë të vetmet pikëpyetje mbi mënyrën se si kompania e naftës, e regjistruar në Zvicër dhe me pronarë të panjohur, u shpall fituese e tenderit për fushat naftëmbajtëse Cakran-Mollaj, Gorisht-Cokul dhe Amonicë.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se në momentin që u hapën ofertat, pagesa e Transoil Group për marrjen e paketës së të dhënave për vendburimet nuk kishte mbërritur ende në llogarinë e Albpetrol. Këto dyshime shtohen edhe nga fakti që gjatë tenderit, vëllai i drejtorit të Albpetrol, Kastriot Bejtaj punonte si drejtues teknik i operacioneve hidrokarbure në fushën e Visokës për llogari të Transoil Group Sh.a – një konflikt interesi për të cilin ministri Gjiknuri ishte në dijeni.

Kompania Transoil Group Sh.a ka gjithashtu detyrime të mbartura ndaj Albpetrol nga operacionet e saj të mëparshme në fushën e Visokës si dhe ka pasur përplasje me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN për shkelje të vazhdueshme të marrëveshjes hidrokarbure.

Megjithatë, këto shkelje nuk e kanë ndaluar kompaninë mëmë të saj, Transoil Group AG, që të deklaronte në faqen e saj zyrtare se i kishte bërë një ofertë Albpetrolit për tre fushat e tjera naftëmbajtëse që në prill 2017 – duke shfaqur siguri se do të arrinte një marrëveshje me kompaninë shtetërore të naftës shqiptare deri në fund të vitit 2017.

(Vijon…)

Veritas.com.al/