-Qarku me moshën mesatare më të ulët të vdekjeve: 70,7 vjeç-.

Kukësi është qarku me pasuritë energjetike më të mëdha në rajon, si qark mbulon prodhimin thuajse tërësor të energjisë elektrike nga hidrocentralet për vendin; ka edhe pasuritë më të mëdha të mineralit të hekur- nikelit dhe bakrit…

Megjithatë është më i varfëri, aq sa banori nuk paguan dot as energjinë elektrike për përdorim familjar…

Vetëm 1.4 % e banorëve të Kukësit janë të punësuar.

Qarku më i varfër i vendit është i destinuar të varfërohet edhe më tej, pasi statistikat zyrtare tregojnë se, ekonomia e tij është futur në një trend rënës.

Sipas të dhënave të INSTAT, ekonomia e qarkut verior në 2016 shënoi rënie me 0.6%, për të tretin vit radhazi. Rënia më e fortë ishte në vitin 2014 me rreth -14.5%, si pasojë e largimit masiv të popullatës për azil ekonomik kryesisht në Francë e Gjermani, fenomen që vazhdoi edhe për vitin 2015. Dibra, Kukësi dhe Berati janë qarqe të cilat kanë një balancë të thellë negative të migracionit të brendshëm, duke pësuar flukse shumë më të larta dalëse sesa hyrëse të popullsisë.

Qarku i Kukësit ka peshën më të ulët të numrit të njësive lokale në vend me vetëm 1,5%.

Ky qark ka numrin më të ulët të të punësuarve në vend me 1,4%, megjithëse gjatë vitit 2016 ky tregues shënoi përqindjen më të lartë të rritjes së punësimit me 26,0%, krahasuar me vitin 2015.

Të ardhurat për frymë në Qarkun e Kukësit janë 35,7% më të ulëta se mesatarja e vendit me vetëm 319 mijë lekë për frymë.

Për shkak të varfërisë së lartë, mosha mesatare vdekjeve në këtë qark është e lartë, duke u klasifikuar kështu në qarkun me moshën mesatare më të ulët të vdekjeve, 70,7 vjeç.

Familjet në Qarkun e Kukësit harxhojnë më pak në bare me vetëm 0,6% të totalit të shpenzimeve.

Gjithashtu ato kanë shpenzimet më të ulëta për veshje ne rang vendi, me vetëm 2,3% të totalit.

Bujqësia në Qarkun e Kukësit zë 41% të ekonomisë, por rajoni ka prodhimin më të ulët të perimeve, mishit dhe vezëve në vend.

Varfëria në këtë qark pritet të thellohet edhe më shumë nëse rinis aplikimi i tarifës së koncesionit në Rrugën e Kombit. Tarifa do të rrisë koston e tregtisë të qarkut me pjesën tjetër vendit dhe do të ndikojë në lëvizjen e lirë të njerëzve, pasi nuk ka një tjetër alternativë lëvizje pa pagesë.

Veritas.com.al/