Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë menduar për emrin, i cili pritet të pasojë Yuri Kim në postin e ambasadorit në Shqipëri. Bëhet fjalë për diplomatin David J.Kostelancik.  Lajmi u bë i ditur nga Zëri i Amerikës, i cili shton se presidenti amerikan Joe Biden ka vendosur që David J. Kostelancik të emërohet si ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri. Por, ky është hapi i parë pasi emri i tij për t’u emëruar ambasador duhet të marrë fillimisht aprovimin e Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.

Po kush është David J. Kostelancik?

David J. Kostelancik është diplomat i Shërbimit të Jashtëm të Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, grada Këshilltar Ministër. Ai ka filluar të shërbejë si këshilltar për politikën e jashtme të Kryetarit të Shefit të Shtabit të Përbashkët, Gjeneral Mark Milley, në gusht  të vitit 2021.

 Diplomati më parë ka qenë Zëvendës Shef i Misionit, dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Budapest, në Hungari, ku ofroi udhëheqje dhe udhëzime politike për stafin e misionit prej më shumë se 350 personash.Ndër të tjera Kostelancik ka qenë i emëruar në Departamentin e Shtetit Amerikanë si Drejtor i Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore –Qendore. Ai ka shërbyer si Drejtor i Zyrës së Çështjeve Ruse, në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike. Gjithashtu diplomati ka qenë Drejtor i Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit.

Më herët, në karrierën e tij ka shërbyer dy herë në Ambasadën e SHBA-së në Moskë. Detyra të tjera në të cilat Kostelancik është përfshirë janë Misioni i SHBA në OSBE dhe Misioni i SHBA në NATO, duke u fokusuar dhe në bashkëpunimin e sigurisë me Rusinë, Ambasadën e SHBA në Shqipëri dhe Ambasadën e SHBA në Turqi.

Ai ka shërbyer gjithashtu në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, duke u përqendruar në marrëdhëniet e SHBA me vendet e Evropës Qendrore. Kostelancik është diplomuar në Universitetin Northwestern në Matematikë dhe Shkenca Politike, si dhe Master nga Universiteti i Miçiganit në Studimin e Rusisë dhe të Evropës Lindore. Po ashtu ai ka përfunduar Masterin Shkencor nga Kolegji Kombëtar i Luftës në politikën e sigurisë kombëtare.

Një element tjetër i cili bie në sy është fakti se David J. Kostelancik është njohës i mirë i gjuhës shqipe, ruse dhe asaj turke. David J. Kostelancik është baba i tre djemve të rritur. Fakti që ai e njeh shumë mirë gjuhën shqipe do ta ndihmojë më shumë në përmbushjen e detyrave, gjithmonë, nëse arrin dhe emërohet në postin e ambasadorit të SHBA në Shqipëri.