KQZ anuloi një mbledhje të parashikuar për në orën 18:00 të së shtunës ku pritej të miratohej lista e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike. Por lista e PD është vonuar përtej kufirit ligjor, rreth 30 minuta pas mesnatës. KQZ i ka dhënë kohë vetes edhe disa orë duke e shtyrë mbledhjen për në orën 12:00 të së dielës. Zyrtarisht nuk ka asnjë koment mbi çfarë ka ndodhur.

“Disa burime thanë se lista e PD-së është dërguar në KQZ me disa pasaktësi. Buirimet thonë se kishte vetëm 95 kandidatë dhe jo 140. Në listën e Tiranës, PD ka propozuar vetëm 18 emra nga 34 kandidatë që ka ky qark. E njëjta gjë ka ndodhur edhe për qarqet e tjera ku PD nuk ka plotësuar deri në fund listën e kandidatëve për deputetë.

Por Kodi Zgjedhor në nenin 67 të tij thotë tekstualisht se “Numri i kandidatëve në listën shumemërore të një partie të regjistruar si subjekt zgjedhor më vete apo numri i përgjithshëm i kandidatëve të një koalicioni nuk duhet të jetë më i vogël sesa numri i mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse.”

Një tjetër problem i listave i vënë re nga administrata e KQZ-së është se listat e depozituara nuk ishin të shoqëruara edhe me CV-të përkatëse. Neni 72 i Kodit Zgjedhor ka të përcaktuara qartë dokumentat që duhet të dorëzohen bashkë me listën e kandidatëve për deputetë.

A mund të shërbejë kjo për të anuluar datën e zgjedhjeve përsëri? Kjo është pyetja që po bëhet para se të vendosë KQZ.